Qeveria e përkushtuar për avancimin e infrastrukturës brezgjerë

Prishtinë, 23.06.2015 – Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të krijojë të gjitha parakushtet për zhvillim të infrastrukturës brezgjerë dhe internetit të shpejtë, ka deklaruar Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj- Gashi në punëtorinë e organizuar nga Banka Botërore: “Zhvillimi i Infrastrukturës Brezgjerë telekomunikuese me fokus zonat rurale”.

Të pranishëm në këtë punëtori ishin edhe drejtori i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, përfaqësues sektorial të BB-së, ARKEP-it, kompani të sektorit të telekomunikimit dhe komunikimeve elektronike dhe ekspertë të fushës.

“Përmes asistencës teknike, ne kemi fituar njohuri të reja në lidhje me hapat që Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i marrë për të rritur shtrirjen e shërbimeve të telekomunikacionit dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve të infrastrukturës, duke ndikuar edhe në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në  mbrojtjen e mjedisit’, tha Zogaj-Gashi.

Zv.ministrja e MZHE-së, u shpreh se projektet që është duke i realizuar MZHE me Bankën Botërore janë të fokusuara së pari në hartimin e programit për infrastrukturën brezgjerë në zonat rurale për të rritur qasjen në komunikime elektronike, dhe së dyti se si të bëhet bashkëshfrytëzimi efikas i resurseve të Infrastrukturës mes sektorit të telekomunikacionit dhe sektorit të energjisë, duke shtuar se Qeveria është e kënaqur me progresin e arritur dhe bashkëpunimin me Bankën Botërore.