Pulla postare me Universitetin e Prishtinës me vlerë të posaçme
Prishtinë, 28.10.2013 – Në pullën postare kushtuar Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ngërthehen të gjitha, dija, lufta edhe sakrifica, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, me rastin e emetimit të edicionit 98 të pullave postare të Postës së Kosovës, ku morën pjesë edhe drejtues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Universiteti i Prishtinës, Postës së Kosovës etj.
“Jam i privilegjuar që kam pas rastin që unë të jem ai që nënshkruaj vendimin për emetimin e kësaj pulle postare që e konsideroj ndër pullat më me vlerë dhe më të rëndësishme, e emetuar nga Republika e Kosovës dhe PTK”, tha Ismajli.
Ministri me këtë rast ka falënderuar komisionin artistik e profesional që ka punuar me shumë përkushtim për dizajnimin e kësaj pulle dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar në emetimin e saj.
Ismajli tha se filatelizmi në botë është diçka që zgjatë dhe mbetet me shekuj dhe sigurisht kjo pullë do të gjejë vëmendjen si një punë e respektuar.
Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja tha se
Posta e Kosovës ka bërë hapin më të qëlluar, më të mirë, më të kulturuar që sot nderon Universitetin Publik të Prishtinës, Hasan Prishtina.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi ka vlerësuar se ky universitet është pjesë e historisë më të re të shtetit të Kosovës dhe sot me solidaritetin e madh të Postës së Kosovës po bëhet edhe pjesë e filatelisë së Kosovës. Sipas tij, UP “Hasan Prishtina” përmes kësaj pulle postare prezantohet në gjithë meridianët e botës dhe pa dyshim se na bënë të ndihen krenar.
Më pas kryeshefi i Postës së Kosovës. Sh.A, Sejdi Hoxha tha se kjo pullë postare është mision i jashtëzakonshëm i filatelisë së Postës së Kosovës, ku përmes emetimit të rregullt të pulave postare, Posta promovon vlerat e saj historike, kombëtare, kulturore dhe artistike të Republikës së Kosovës.
Në shenjë respekti, kryeshefi i Postës Sejdi Hoxha u ka dhuruar nga një plaket bronzi me pamjen e kësaj pulle dy ministrave dhe rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

