Pula: Ruajtja e mjedisit prioritet i institucioneve

Prishtinë, 26 nëntor 2009 – Në organizim të Ministrisë të Energjisë dhe Minierave (MEM), sot në Prishtinë u mbajt konferenca me temë “Përmirësimi  dhe rikultivimi i tokave të dëmtuara për një mjedis më të mirë”, ku u diskutua gjendja aktuale sa i përket ndotjes së tokës dhe masat e ndërmarra për kthimin në gjendjen e mëparshme përmes rikultivimit.

Të pranishëm në këtë konferencë përveç Ministres së Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula dhe Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yakcilar, ishin edhe zv/ministri i MEM-it, Blerim Rexha, përfaqësues të Bankës Botërore në Kosovë, UNDP-së, KfW-së, KEK-ut, INKOS-it dhe kompanive të huaja dhe vendore. 
Në hapje të konferencës, Ministrja Pula tha se ruajtja e cilësisë së mjedisit nga ndikimet e pa evitueshme të aktiviteteve industriale, përfshirë ato energjetike dhe minerare, është prioritet i punës së institucioneve vendore. 
 
Ajo tha se çështjet e mjedisit po trajtohen në kuadër të legjislacionit modern në fuqi në Kosovë, si edhe në kuadër të zbatimit të direktivave Evropiane për mjedis për të cilat Kosova është e obliguar si shtet në kuadër te Traktatit për Komunitetin e Energjisë.
 
“Qeveria jonë e ka mjedisin në vëmendje të vazhdueshme, edhe pse burimet financiare në dispozicion nuk janë të mjaftueshme për te evituar menjëherë të gjitha pasojat mjedisore negative të trashëguara. Për këtë edhe po na ndihmojnë, dhe presim më shumë të na ndihmojnë në të ardhmen, institucionet si Banka Botërore, Komisioni Evropian, UNDP, etj”, tha ministrja Pula. 
 
Kreu i MEM-it  tha se pikat më të nxehta mjedisore që lidhen me tokën ne Kosovë, sa i takon sektorëve që mbulon MEM, janë rehabilitimi dhe rikultivimi i mihjeve te Bardhit dhe Mirashit që së shpejti do të shteren plotësisht, si dhe disa segmente të trashëguara nga aktivitetet e mëhershme te Trepçës.
 
Ministrja Pula në përfundim tha se duhet të bëhet e pamundura që sa me parë të kemi në Kosovë një sistem bashkëkohor të monitorimit të ndotjeve të tokës nga stabilimentet energjetike, minerare, dhe industriale.

Ndërkaq, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar, tha se MMPH mbetet e përkushtuar për hartimin e politikave, infrastrukturës ligjore dhe instrumenteve mjedisore për plotësimin e objektivave tona në përmirësimin e qëndrueshëm të kualitetit të mjedisit.
Sipas tij, deri më tani MMPH-ja ka adresuar problemet kyçe mjedisore, ka përgatitur dokumentet e nevojshme strategjike si dhe është në proces përfundimtar të kompletimit të strategjive të tjera sektoriale, shumë të nevojshme për zgjidhjen e problemeve mjedisore.
“Ndër çështjet kryesore dhe me ndikim në mjedisin e Kosovës, MMPH-ja ka trajtuar edhe pikat më të ndjeshme mjedisore, përkatësisht ajo që tashmë në terminologjinë ndërkombëtare po quhet si Hot-Spote mjedisore. Ekspertët e MMPH-së, gjithnjë në bashkëpunim me Ministritë dhe institucione tjera, kanë prekur këtë problem, kanë evidencuar atë si çështje me prioritet dhe e kanë trajtuar atë nëpërmes planeve dhe projekteve të caktuara”, tha Yagcilar.
 
Ai tha se MMPH-ja nëpërmes Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka evidencuar rreth 110 hot-spote potenciale, dhe si zona industriale më të ndotura ka trajtuar Mitrovicën- zonën e Stan Tergut, Obiliqin – aktivitetet e KEK-ut, Drenasin – aktivitetet e Feronikelit, pastaj Kishnicën, Artanën dhe Hanin e Elezit.
 
Më pas Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka prezantuar pikat e nxehta të ndotjes të identifikuara në Kosovë.
Ai ka përmendur me këtë rast si ndotës kryesor, Kompleksin Treça, KEK-un, Minierën Deva, Çimentoren në Han të Elezit, Boksitet në Volljakë, të cilat ndikojnë direkt në ndotjen e ajrit, tokës dhe ujit.