Promovohet libri ‘Monitorimet e ndotjeve dhe zhvillimet energjetike në Shqipëri dhe Kosovë’

Prishtinë, 4 shkurt 2011 – Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, Alb-shkanca dhe Ministria e Energjisë dhe Minierave kanë promovuar librin me punimet shkencore “Monitorimet e ndotjeve dhe zhvillimet energjetike në Shqipëri dhe Kosovë”.

Punimet e trajtuara në  këtë libër trajtojnë mjedisin dhe energjinë në Kosovë dhe Shqipëri. Me këtë rast zv.ministri i Energjisë dhe Minierave dr. techn Blerim Rexha tha se zhvillimi i ekonomik i shoqërisë varet në mënyrë direkte nga energjia që ajo shoqëri ka në disponim.

“Për ta zhvilluar ekonominë tonë ne duhet të gjenerojmë energji më shumë. Duke pasur parasysh se Kosova ka rezerva të konsiderueshme të linjitit, prodhimi i energjisë elektrike ka qenë, dhe do të jetë edhe në të ardhmen njëra ndër shtyllat më të rëndësishme në të cilat vendi do ta mbështesë zhvillimin e vet ekonomik dhe rrjedhimisht edhe ngritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve të saj” ka pohuar Rexha.

Ai ka njoftuar se MEM është i përkushtuar në  ngritjen e kapaciteteve të reja gjeneruese, të cilat do të nisin këtë vit “MEM është i përkushtuar që problemit të degradimit të mjedisit t’i kushtojë kujdes parësor në të gjitha aspektet e ndikimit negativ të këtyre kapaciteteve, si në suaza lokale ashtu edhe në ato globale. Në këtë kuptim, MEM deri më tani ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që këto ndikime të jenë sa më të vogla, dhe të mbahen brenda kufijve të paraparë me standarde ndërkombëtare”, tha zv.ministri Rexha.

Fjalë rasti ka mbajtur edhe redaktori i librit Jahja Kokaj, i cili ka vlerësuar së punimet shkencore të trajtuara në këtë botim janë mjaft me interes të konsulltohen nga akterë të  ambientit dhe fushës energjetike.

Botimin e këtij libri e ka mudësuar Ministria e e Energjisë dhe Minierave.