Projekti Kosova e Re në përputhje me kriteret e Bankës Botërore
Prishtinë, 01 shkurt 2012 – Paneli i pavarur i ekspertëve, i caktuar për të shqyrtuar projektin e propozuar të gjenerimit të energjisë elektrike në Kosovë ka ardhur në përfundim se projekti është në përputhje me të gjitha gjashtë kriteret e Bankës Botërore, të cilat merren parasysh me rastin e konsiderimit të mundësisë së përkrahjes për projektet e termocentraleve me linjit. Këto gjetje sot i janë dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore.
Kërkesa për energji elektrike në Kosovë tejkalon kapacitetin vendor të furnizimit dhe, duke marrë parasysh kërkesën në rritje, pritet që dallimi në mes të ofertës dhe kërkesës të thellohet. Qeveria e Kosovës planifikon mbylljen e termocentralit dyzetvjeçar, i cili është një nga impiantet më të mëdha ndotëse në Evropën Juglindore. Për ta zëvendësuar atë, Kosova planifikon rehabilitimin e një termocentrali tjetër të vjetër dhe ndërtimin e një termocentrali të ri dhe më ekonomizues. Për të ndërtuar një kapacitet të ri për gjenerimin e rrymës elektrike, Kosova ka kërkuar përkrahjen e Bankës Botërore në formë të Garancisë së Pjesshme të Rrezikut (GPRr).
Në përputhje me politikat që ndihmojnë Bankën Botërore të baraspeshojë nevojat zhvillimore me shqetësimet mjedisore dhe të ndryshimeve klimatike, Paneli i ekspertëve ka shqyrtuar projektin e propozuar të Kosovës në bazë të gjashtë kritereve:
(1) ndikimi i demonstruar zhvillimor;
(2) ndihmesa për projektet me nivel të ulët të emetimit të karbonit;
(3) burime të optimizuara të energjisë (duke përfshirë opsionet për ekonomizimin apo efiçiencën e energjisë);
(4) shqyrtimin e plotë të alternativave të realizueshme me opsionet më së paku të kushtueshme, ku përfshihen edh kostot mjedisore;
(5) shfrytëzimin e teknologjisë më të sofistikuar dhe të duhur për ekonomizim sa më të lartë;
(6) zhvillimin e qasjes për analizën e kostove mjedisore.
Tre ekspertë të dalluar të sektorit të energjetikës që përbëjnë Panelin e pavarur janë: János Beér, Wladyslaw Mielczarski dhe Derek Taylor. Në shqyrtimin e tyre të Projektit, ata vejnë në pah ekonominë e brishtë të Kosovës së pasluftës dhe kapacitetin e saj të kufizuar për zhvillim, me ç’rast janë pajtuar se furnizimi i sigurt dhe me çmim të përballueshëm i energjisë elektrike është jetik për zhvillimin dhe stabilitetin e saj. Paneli i ekspertëve njëzëri u pajtua se projekti ka përmbushur gjashtë kriteret, por, në këtë kontekst, kanë dhënë një numër rekomandimesh specifike për Qeverinë. Qëndrimi i tyre lidhur me gjashtë kriteret është përmbledhur në rubrikën e mëposhtme.
Në kuadër të shqyrtimit të Projektit, Paneli i ekspertëve ka bërë një numër komentesh, vrojtimesh dhe rekomandimesh shtesë lidhur me furnizimin dhe shfrytëzimin në të ardhmen të energjisë në Kosovë. Këtu përfshihen rekomandimet për bashkëpunim dhe lidhje më të mira regjionale, si dhe shfrytëzim më të madh të ngrohjes qendrore të qytetit në Prishtinë dhe përreth saj. Përveç tyre, rekomandimet e tjera kanë të bëjnë me madhësinë e termocentralit/blloqeve të reja dhe me zgjidhjen e mihjes, si dhe me përparësitë e tharjes së linjitit dhe se termocentrali i ri duhet të jetë i gatshëm për zënien dhe ruajtjen e karbonit. Po kështu, Paneli fuqimisht inkurajon përfshirjen e shoqërisë civile në proceset e ndryshme sa herë që kjo të jetë e mundur përmes hapjes dhe transparencës dhe proceseve plotësisht të zhvilluara konsultative.
Pas pranimit të gjetjeve të Panelit të ekspertëve, ministri për Zhvillim Ekonomik i Kosovës, Besim Beqaj, tha “Është obligim i yni që qytetarëve dhe industrisë sonë t’ua ofrojmë energjinë më të lirë dhe më të besueshme për ngrohjen dhe ndriçimin e shtëpive, si dhe për rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të reja të punës. Ne çmojmë analizën e pavarur të Panelit të ekspertëve përkitazi me planet tona për zhvillimin e sektorit energjetik dhe presim një projekt, nga i cili do të përfitonte ekonomia e Kosovës ”.
Lidhur me gjashtë kriteret, Paneli i ekspertëve njëzëri ka arritur pajtimin për si në vijim:
• Do të ketë ndikim të demonstruar zhvillimor të projektit, duke përfshirë përmirësimin e furnizimit me energji dhe zvogëlimin e reduktimeve të rrymës. Termocentrali i ri, së bashku me Kosovën B të modernizuar, duhet të rezultojë me besueshmëri të rritur në sistem dhe me më pak reduktime të rrymës.
• Ndihmesa për identifikimin e projekteve me emetim të ulët të karbonit është duke u ofruar. Në mes të tjerash, këtu përfshihet një studim zhvillimor për burimet e energjisë së ripërtërishme, një studim i parafizibilitetit për hidrocentralet e vogla, përditësimi i studimit ekzistues të fizibilitetit për hidrocentralin e Zhurit, ndihmesa për studime rreth zënies dhe ruajtjes së karbonit dhe kredia e propozuar nga Banka Botërore për përmirësimin e ekonomizimit apo efiçiencës së energjisë dhe për burimet e ripërtëritshme të saj.
• Burimet e energjisë janë duke u optimizuar dhe përpjekje të konsiderueshme për rritjen e ekonomizimit të energjisë janë duke u bërë. Mirëpo ka nevojë për përkushtim të shtuar në zvogëlimin e kërkesës për energji dhe të humbjeve teknike e komerciale gjatë procesit të furnizimit me energji elektrike, si dhe në promovimin e ruajtjes së energjisë (siç është përdorimi më i madh i ngrohjes së ujit përmes energjisë diellore).
• Pas shqyrtimit të plotë të alternativave të mundshme, është arritur pajtimi se projekti do të paraqiste opsionin më së paku të kushtueshëm për Kosovën, duke përfshirë edhe marrjen parasysh të kostove mjedisore. Paneli i ekspertëve po ashtu është pajtuar se energjia e ripërtëritshme duhet të luajë rol të rëndësishëm në kombinimin energjetik në të ardhmen, me ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit, impianteve të tjera të vogla të hidroenergjisë dhe të energjisë së erës, si dhe të impianteve të qëndrueshme me biomasë dhe biogaz. Paneli theksoi se rritja e energjisë së ripërtëritshme dhe eventualisht e gazit natyror, do të kërkonte një qasje më regjionale ndaj tregjeve të energjisë dhe më shumë ndërlidhje me vendet fqinje se sa që kemi sot.
• Projekti do të ideohet duke shfrytëzuar teknologjinë më të mirë dhe adekuate që është në dispozicion për të mundësuar ekonomizim sa më të lartë. Paneli fuqimisht i sugjeron Qeverisë së Kosovës që të inkurajojë ofertuesit për ndërtimin e një termocentrali me ekonomizim apo efiçiencë më të madhe të mundur e jo vetëm që të plotësojnë nivelet minimale të ekonomizimit.
• Aspektet mjedisore janë duke u përfshirë në analizat e projektit. Përllogaritjet e ofruara nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik tregojnë se pas fillimit të punës të termocentralit të ri, mbylljes së Kosovës A dhe të rehabilitimit të Kosovës B, konsumi i thëngjillit do të zvogëlohej për rreth 27%, për çdo njësi të energjisë elektrike të prodhuar, emetimet PM do të zvogëloheshin për më tepër se 90%, emetimet e SOx dhe NOx për afro 80%, ndërsa emetimet e CO2 do të zvogëloheshin për rreth 25%. Paneli theksoi rëndësinë e caktimit të niveleve bazë të emetimit, posaçërisht për dyoksidin e karbonit dhe për gazrat e tjerë që shkaktojnë efektin serrë me qëllim të kuantifikimit të përparësive të pritura. Ky proces do të kërkojë aftësi më të mëdha monitoruese. Paneli gjithashtu rekomandoi që të vazhdohet me studime vlerësuese për ndikimin e ndryshimeve të mundshme të çmimit të ardhshëm të karbonit në ekonominë e termocentraleve me linjit në Kosovë.

