Programi më i madh në efiçencë të energjisë në vlerë 86 milionë euro fillon sivjet, parashihet renovimi i 400 ndërtesave
Prishtinë, 17.01.2025 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sergiy Maslichenko kanë marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së projektit “Efiçienca e energjisë në ndërtesat publike të Kosovës”, në bashkëpunim me Fondin për Efiçencë të Energjisë (FKEE).
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes u bë e ditur se ky projekt ka vlerë prej 86 milionë euro si dhe është bashkëfinancim i Qeverisë së Kosovës, BERZH-it si dhe grant prej 20 milion euro nga Bashkimi Evropian (BE) e Mbretëria e Holandës.
Ministrja Rizvanolli u zotua për renovimin e 400 ndërtesave publike në nivel lokal dhe qendror, përmes këtij projekti që është më i madhi ndonjëherë në efiçencë të energjisë.
“Programi më i madh ndonjëherë në efiçiencë të energjisë, në vlerë prej 86 milionë euro, do të fillojë sivjet dhe do të mundësojë renovimin e 400 ndërtesave publike”, tha ajo.
Ajo tha se është e rëndësishme që ndërtesat të jenë të izoluara mirë në mënyrë që të ulet konsumi i energjisë dhe të lehtësohet sistemi elektroenergjetik i Kosovës.
“Dekada të tëra të investimeve të pamjaftusehme në ndërtesat publike në Kosovë kanë çuar në përkeqësim të konsiderueshëm të gjendjes së tyre, me ndikim negativ në konsum të energjisë. Kosova konsumon sot mesatarisht katër herë më shumë energji për një njësi të bruto produktit vendor të prodhuar, në krahasim me mesataren e BE-së. Në kuadër të këtij konsumi enorm blloku i ndërtesave konsumon mbi 40% të totalit të energjisë që konsumohet në vend. Pra kjo e vë në perspektivë se sa e rëndësishme është që ndërtesat tona të jenë të izoluara mirë dhe t’i kenë masat e efiçencës, në mënyrë që konsumi i gjithëmbarshëm në vend të ulet dhe ta lehtësojë të gjithë sistemin tonë elektroenergjetik, mirëpo edhe koston e financimit të këtij konsumi”, deklaroi ministrja.
Edhe ministri i Financave, Hekuran Murati tha se si Qeveri janë të përkushtuar që të mbështesin iniciativa të tilla.
“Si Qeveri jemi të përkushtuar që të mbështesim iniciativat të cilat janë prioritet i Qeverisë, pikësëpari pjesë e strategjisë sonë për energji që është miratuar në Kuvend, që të mbështesim pra investimet , përveç tjerash edhe në efiçencë të energjisë. Ne tashmë kemi negociuar dhe nënshkruar marrëveshjen me BERZH në vlerë prej 50 milionë euro financim, por e mira e kësaj është që kjo marrëveshje përforcohet dhe shumëfishohet edhe më tej nga grantet dhe mbështetjen shtesë të siguruar nga institucionet tjera partnere siç janë: Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Danimarkës”, ka thënë Murati.
Ndërsa, drejtori menaxhues i FKEE-së, Driton Hetemi, tha se projekti është duke u realizuar me mbështetje të madhe të Qeverisë si dhe të partnerëve.
“Si FKEE kemi qenë shumë të lumtur për të shprehur gatishmërinë për implementimin e këtij projekti të ri i cili po realizohet me mbështetje të madhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe donatorëve të tjerë që në këtë rast janë Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Danimarkës”, ka thënë ai.
Përveç projektit që u nënshkrua sot, në dhjetor të viti të kaluar është nënshkruar marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe FKEE-së për investime në efiçencë të energjisë në vlerë 3.8 milionë euro, në gjashtë komuna të Kosovës.