Privatizimi i PTK-së pjesë e reformës strukturale të ekonomisë së vendit

Prishtinë, 24 mars 2011 – Privatizimi i PTK-së do të kryhet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe transparencë të plotë duke kërkuar realizimin e plotë të interesave të të punësuarve në PTK-së ka thënë sot ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Besim Beqaj në takimin me përfaqësuesit e sindikatave të Postë dhe Telekomit të Kosovës.
Në takim mori pjesë edhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rashiq.
“ Si Qeveri e Kosovës dhe si komision ne i kemi dhënë trajtim të veçantë punëtorëve të PTK-së dhe kemi marrë vendim që në kuadër të privatizimit të garantojmë punëtorët e PTK-së kontratat edhe për 4 vite”, ka thënë me këtë rast ministri Beqaj.

Gjatë takimit sindikalistët u informuan lidhur me progresin e arritur ne procesin e privatizimit të PTK dhe ministri Beqaj theksoi se privatizimi i PTK-së është pjesë e reformës strukturale e ekonomisë së Kosovës  dhe aplikimin e modelit të ekonomisë së tregut sipas standardeve perëndimore.

Kjo, siç tha ministri Beqaj, do të mundëson ofrimin e shërbimeve më të lira, më cilësore dhe më efektive për qytetarët e Kosovës, krijon kushte për punësime të reja nga investimet e ardhshme, përmirësimin e transparencës dhe zvogëlimin e mundësive për keqpërdorime.

Ministri Beqaj tha se në privatizimin e PTK-së do të sigurohet transparence e plote e procesit, plotësimi i standardeve më të larta ndërkombëtare të privatizimit.

Sigurimi i ligjshmërisë dhe garancitë të cilat i jep Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mundësojnë arritjen e vlerës maksimale të shitjes për PTK-në.

Në kërkesat e Sindikatës, Ministri Beqaj shprehu gatishmërinë e tij dhe të anëtarëve tjerë të Komisionit Qeveritar për Privatizim për dialog  për të arritur një pajtim mbi draftin e marrëveshjes kolektive e cila do të jetë pjesë e pakos së marrëveshjeve të ofruara për investitorët.