Privatizimi i PTK-së nuk rrezikon vendet e punës
Prishtinë, 02.10. 2012 – Komisioni Qeveritar i Privatizimit i formuar nga Qeveria e Republikës se Kosovës është duke realizuar në mënyrë të përpiktë dhe me transparencë të plotë procesin e privatizimit të PTK-së.
Ky proces bazohet në vendime të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe është duke u realizuar konform ligjeve në fuqi.
KQP dhe kryesuesi i saj ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj gjithnjë deri më tash u janë përgjigjur kërkesave të përfaqësuesve të sindikatave për takime në të cilat janë sqaruar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të punësuarve në PTK.
Asnjë i punësuar në PTK nuk do të mbetet pa punë dhe vendet e tyre të punës i kanë të garantuara për tri vjet.
E drejta për protesta është e drejtë e garantuar me Kushtetutën dhe me ligjet e aplikueshme të vendit, mirëpo kërcënimet për ndërmarrje të masave radikale siç janë shkatërrimi i aseteve të PTK-së, tejkalon angazhimin për të drejtat sindikale dhe është çështje me të cilën duhet të merren organet përgjegjëse të shtetit.

