Privatizimi i PTK-së në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare
Prishtinë, 17.04.2013 -Pas takimit të djeshëm të Komisionit Qeveritar të Privatizimit, si dhe Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për aprovimin e raportit të Komisionit për privatizimin e 75 % të aksioneve të PTK-së, Komisioni Qeveritar i Privatizimit njofton opinionin publik që procesi i privatizimit të shitjes së aksioneve të PTK-së, është bërë në harmoni të plotë me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe është zhvilluar konform standardeve më të larta ndërkombëtare.
Sipas rregullave dhe procedurës së paraparë, pas vlerësimit ligjor dhe teknik, investitori “M1 Internationallimited” dhe “ACP Axos Capital GMBH me Najafi Companies LLC” janë ftuar në hapjen publike të ofertave financiare.
Sikur është transmetuar drejtpërdrejtë edhe në mediumet publike të Kosovës, konzorciumi “ACP Axos CapitalGMBHH me Najafi Companies LLC” në partneritet strategjik me BritishTelecom kanë dhënë ofertën më të lartë financiare në shumë prej 277 milion euro.
ACP Axos Capital është shoqëri aksionare investuese e investitorëve ndërkombëtarë të teknologjisë dhe telekomit. AxosCapital është me bazë në Hamburg, Gjermani.
Najafi Companies LLC është një firmë private ndërkombëtare e investimeve me bazë në Phoenix, Arizona (SHBA). Pjesë e këtyre kompanive për mbështetje dhe menaxhim teknik është British Telecom.
Garancitë për kredibilitetin e këtij grupi të investitorëve janë dhënë edhe nga shtetet e origjinës së investitorëve. Në këtë kontekst, rëndësia e këtij procesi është konfirmuar dje përmes qëndrimit të përbashkët të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë, të SHBA-së si dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë gjatë takimit të tij me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, KQP dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik dëshiron të falënderojë të gjithë ata që kanë përkrahur procesin e privatizimit të PTK-së, ku përfshihen subjektet politike, komuniteti i biznesit, si dhe përfaqësitë diplomatike në Republikën e Kosovës.