Prezantohet përvoja japoneze e trajtimit të ujërave të zeza
Prishtinë, 05.03.2014 – Ministria e Zhvillimit Ekonomik së bashku me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar JICA kanë organizuar seminarin mbi përvojën e trajtimit të ujërave të zeza në Japoni, ku morën pjesë përfaqësues të komunave, ndërmarrjeve publike, ujësjellësve, Institutit Hidrometeorologjik dhe donatorëve të ndryshëm.
Çështjet mjedisore janë problem botëror dhe njëkohësisht është preokupim kryesor i shumë vendeve të botës, e në këtë aspekt edhe i Kosovës ku gjendja e trajtimit të ujërave të zeza nuk është në një nivel të kënaqshëm dhe ka nevojë për më shumë investime. Meqë, ujërat e zeza janë një nga ndotësit kryesorë të mjedisit, ato duhet të trajtohen ne mënyrë të përhershme.
Duke pasur parasysh këtë, MZHE në bashkëpunim me JICA kanë vlerësuar se për të përmirësuar gjendjen e trajtimit të ujërave të zeza në Kosovë, duhet që fillimisht të krijohen kapacitete të kualifikuara humane në lëmin e trajtimit të ujërave të zeza.
Falë këtij bashkëpunimi, gjatë vitit 2013 është arritur që zyrtarë që merren me sektorin e ujërave të zeza në Kosovë të trajnohen në Japoni me qëllim të marrjes së përvojës nga ky vend për trajtimin e ujërave të zeza.
Pas përfundimit të trajnimit, ky grup vendosi që eksperiencën e tij ta ndajë me kolegët e tyre dhe për këtë arsye u organizua ky seminar.
Pikat në të cilat janë fokusuar gjatë trajnimit të tyre në Japoni dhe të cilat i ndanë me pjesëmarrësit kanë qenë historiku i trajtimit të ujërave të zeza në Japoni, gjendja aktuale e ujërave të zeza, metodat e trajtimit të tyre, sistemi ligjor dhe tarifor i tyre, funksionimi i impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, trajtimi i llumit dhe sensibilizimi i qytetarëve rreth ujërave të zeza.
Ky projekt është 3 vjeçar ku çdo vit dërgohet një delegacion i përbërë nga zyrtarë të institucioneve relevante për të ngritur kapacitetet e tyre humane.

