Posta e Kosovës zgjeron flotën me 7 automjete të reja për shërbime më efikase të shpërndarjes
Prishtinë, 11.09.2024 – Posta e Kosovës ka shtuar flotën e saj me 7 automjete të reja, duke zgjeruar kapacitetet e saj për shërbime më të shpejta dhe efikase. Këto automjete të reja i bashkohen motoçikletave elektrike që tashmë janë në përdorim, duke përforcuar flotën e shërbimit postar.
Në ceremoninë e përurimit të këtyre automjeteve, Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, falënderoi Ministrinë e Ekonomisë dhe Bordin e Drejtorëve për mbështetje të vazhdueshme ndaj Postës së Kosovës, si dhe u shpreh se “Me këtë flotë të re, ne synojmë të përmirësojmë përvojën e klientëve tanë duke siguruar që çdo dërgesë të arrijë në kohë dhe me siguri të plotë. Ky hap është në përputhje me përkushtimin tonë për të ofruar shërbime të besueshme dhe efikase për të gjithë qytetarët e Kosovës.”
Ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përgëzoi Postën e Kosovës për këtë investim shumë të qëlluar, ajo tha se “Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar për të përkrahur ndërmarrjet publike, e në veçanti ato që tregojnë vullnet e punë për rezultate. E tillë është Posta e Kosovës.”
Ky investim i fundit synon të rrisë cilësinë e shërbimeve të shpërndarjes së dërgesave për qytetarët e Kosovës, me fokus në përmirësimin e kohës së dorëzimit dhe mbulimin e gjithë territorit të vendit. Me shtimin e këtyre automjeteve të reja, Posta e Kosovës është më e përgatitur për të përmbushur kërkesat në rritje për shërbime postare dhe logjistike, duke garantuar mbërritje të shpejtë dhe të sigurt të dërgesave në destinacionet e tyre.
Posta e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u përshtatur me kërkesat e tregut në zhvillim, duke vazhduar investimet në infrastrukturë dhe teknologji për të garantuar shërbime cilësore në çdo cep të vendit.