Posta e Kosovës ka hapur pikën e re postare në Sheshin “Zahir Pajaziti”

Prishtinë, 12.09.2024 – Posta e Kosovës nga sot do t’u ofrojë shërbimet e saj qytetarëve në pikën e re postare në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, e cila do të jetë zyra ‘flagship’ e operatorit publik postar në kryeqytet.

Në ceremoninë e hapjes së pikës së re, morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci.

Me këtë rast, Kryeministri Kurti theksoi se kjo është pika e 145 e Postës së Kosovës në Republikën e Kosovës dhe ka falënderuar Ministren Rizvanolli dhe kryeshefen Rraci, për punën e mirë që po bëjnë në zhvillimin e Postës së Kosovës.

“Posta e Kosovës është duke u ngritur, duke i bërë shërbimet më cilësore e më të shpejta, e më të lira dhe duke qenë përherë pranë qytetarëve të vendit tonë pa dallim”, tha mes tjerash Kryeministri Kurti.

Ndërsa, Ministrja Rizvanolli pohoi se sot po përurojnë pikën më të re të Postës së Kosovës, pas Mitrovicës së Veriut, e cila është në qendër të Prishtinës, në lokacionin më të mirë në Prishtinë.

Ajo pohoi se tani punëtorët e Postës së Kosovës kanë kushte më të mira për punë, me ndryshime që në dukje mund të duken të vogla, por janë shumë të mëdha për përmirësimin e shërbimit dhe për punëtorët.

Kurse, Kryeshefja Rraci e ka falënderuar Qeverinë për përkrahen ndaj Postës së Kosovës në arritjen e misionit të saj, drejtë një shërbimi sa më të mirë ndaj qytetarëve të Kosovës. Ajo po ashtu pohoi se kjo zyrë ofron të gjitha shërbimet postare dhe shërbimet financiare jo bankare.