Pjesëmarrja e grave në qeverisje e domosdoshme për ti tejkaluar sfidat me të cilat ballafaqohet shoqëria
Të nderuara gra dhe motra pjesëmarrëse në këtë takim,
Të nderuara organizatore,
Kam kënaqësinë shumë të veçantë të jem sot këtu me ju dhe t’ju përshëndes prej fillimit të këtij aktiviteti të rëndësishëm për të gjitha ne – promovimin e raportit: “Konferenca e Parё Ndёrkombёtare e Grave nё Biznes”, konferencë kjo që u mbajt në 28-29 tetor 2010 në Prishtinë.
Kjo Konference tuboi mëse 170 pjesëmarrës nga komuniteti i biznesit, agjencitë shtetërore, institucionet financiare, organizatat ndërkombëtare dhe kombëtare, gra të suksesshme afariste, si dhe përfaqësuese nga shoqatat kombëtare afariste të grave nga mëse 13 shtete rreth botës.
Konferenca ua ofroi një platformë konkrete, ku u shkëmbyen përvojat dhe praktikat më të mira për përparim të mëtutjeshëm të rrjeteve të grave afariste në regjion, SHBA, Evropë Qendrore e Lindore dhe Lindje të Afërt. Konferenca paraqiti qartë edhe ‘rrugën përpara’, pra hapat që është mirë të ndërmerren dhe aktivitetet që rekomandohet të realizohen, ashtu që bizneset e drejtuara nga gratë të avancojnë dhe të shtohen ndjeshëm dhe suksesshëm.
Përparimi dhe mirëqenia ekonomike dhe sociale në Kosovë janë pashmangshëm të lidhura me statusin ekonomik dhe social të grave dhe vajzave tona. Avancimi dhe përparimi i gruas në aktivitetin ekonomik përbën kusht për progresin e qëndrueshëm në vendin tonë. Gratë e Kosovës duhet të bëhen agjente të ndryshimit tonë shoqëror. Unë jam e bindur se ne e kemi potencialin e nevojshëm për ta arritur këtë.
Pjesëmarrja e grave në qeverisje, shoqëri civile, biznes, edukim, dhe lëmi tjera është e domosdoshme për t’i tejkaluar sfidat me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare.
Dëshiroj t’i referohem Sekretares Hillary Clinton, e cila thotë se talenti është universal, por mundësia nuk është e tillë. Kur femrave u jepet mundësia, kur potenciali i tyre shfrytëzohet, e gjithë shoqëria përfiton.
Gratë tona ende ballafaqohen me pengesa, kur bëhet fjalë për ta hapur një biznes, apo për ta zgjeruar një biznes ekzistues. Ato kanë nevojë për më shumë qasje në trajnime, mentorim, për më shumë pjesëmarrje në treg, si dhe për më shumë mbështetje me financim për bizneset e tyre.
Unë, me këtë rast, do t’ju ftoja që t’i avanconi përpjekjet tuaja si gra në biznes që së bashku:
• Ta nxisim më tej Qeverinë dhe institucionet për ta liberalizuar plotësisht tregun duke e plotësuar njëherësh kuadrin rregullator, ashtu që të lulëzojë ndërmarrësia dhe mbrohen konsumatorët nga produktet dhe shërbimet jocilësore;
• Ta nxisim Qeverinë që ta zgjerojë bazën e tatueshme pa rritur taksat e tatimet, ashtu që të arrihet mjedis i barabartë për konkurrencë të ndershme, dhe
• Ta promovojmë me çdo mjet dhe mënyrë shtimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, sepse ato janë burimi i parë i krijimit të vendeve të reja të punës.
Ju duhet të jeni partnere të qeverisë, ju duhet ta inkurajoni atë për t’i kryer reformat e plota që do të mundësojnë lulëzimin e ndërmarrjeve tuaja. Unë jam dëshmitare se Qeveria e kupton që vetëm lulëzimi i sektorit privat do të sjellë zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm në Kosovë.
Që të rritet roli i gruas në zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë në tërësi, mendoj se duhet që:
• Të punojmë më shumë për shkollimin e plotë dhe më të mirë të grave dhe vajzave;
• Të punojmë më shumë për uljen e papunësisë mes gjinisë femërore;
• Ta mbështesim me çdo mënyrë shtimin e numrit të grave që zotërojnë dhe drejtojnë biznese të vogla dhe të mesme, dhe
• Ta mbështesim zgjerimin e rrjetave apo asociacioneve të grave në biznes.
Në Kosovë ka mjaft gra të suksesshme në biznes, kurajo e tyre, suksesi i tyre shembulli i tyre duhet të jetë udhërrëfyes drejt suksesit për shumë e shumë gra që ëndërrojnë dhe aspirojnë të futen në biznes. Kënaqësi të veçantë ndjejmë kur shohim shembullin e znj. Afërdita Saraqini Kelmendi, apo atë të znj. Linda Shala, apo atë të Fahrije Malokut, e plotë të tjerave.
Ne gratë e Kosovës falënderojmë veçanërisht edhe vendet mike dhe organizatat ndërkombëtare që në vazhdimësi mbështesin me projekte konkrete avancimin e gruas në shoqërinë kosovare, sidomos USAID-in, UNDP-në, dhe Ambasadën e Zvicrës, të cilat kanë fokus të veçantë në avancimin e grave në biznes.
Dhe në përfundim, mendoj se të gjitha ne sot këtu bashkohemi me një falënderim të veçantë për znj. Mirlinda Kusari Purrini, Presidenten e Shoqatës, e cila me përkushtim dhe devotshmëri punon edhe për Shoqatën e Biznesit të Grave të Kosovës. Ky falënderim vlen edhe për Bordin e Drejtorëve të shoqatës.
Ju faleminderit dhe suksese sot në këtë promovim !
Fjala e Ministres Justina Shiroka – Pula në “Konferencën e Parё Ndёrkombёtare të Grave nё Biznes”

