Pesë kompani vazhdojnë garën për privatizimin e PTK-së
Prishtinë , 17 gusht 2012 – Komisioni Qeveritar i Privatizimit të PTK-së, në mbledhjen e mbajtur me 17 gusht 2012, miratoi listën e kompanive të parakualifikuara për pjesëmarrje në tenderin për blerjen e 75% të aksioneve të PTK-së.
Procesi i vlerësimit të aplikaicioneve të kompanive aplikantë është bërë nga një komision profesional i përbërë nga zyrtarë të lartë nga të gjitha ministritë që e përbëjnë KQP-në. Po ashtu, edhe këshilltari i transaksionit në një raport të veçante vlerësues, ka konfirmuar konkludimet e raportit të komisionit të vlerësimit të emëruar nga KQP.
Në bazë të vendimit të KQP-së, kompanitë që kanë plotësuar, kriteret ligjore, financiare dhe teknike, të përcaktuara në thirrjen për parakualifikim, të cilat ftohen të marrin pjesë në tenderin për blerjen e 75% të aksioneve të PTK-së janë:
• Albright Capital Management LLC, në bashkëpunim me Portugal Telecom
• Columbia Capital në konsorcium me ACP Axos Capital Gmbh, në bashkëpunim me British Telecom – Poloni (në pronësi të British Telecom)
• M1 International Limited
• Turkcell
• Twelve HORNBEAMS në konsorcium me Avicenna Capital LLC, në bashkëpunim me Sofrecom (pjesë e France Telecom)
Kriteret e parapara në thirrjen për parakualifikim kanë mundësuar parakualifikimin e operatorëve të telekomit dhe fondeve investuese që kanë hyrë në marrëveshje bashkëpunimi me operatorë të telekomit apo që kanë investuar më herët në operatorë të mëdhenj të telekomit.
Kompanitë dhe konsorciumet e parakualifikuara mundësojnë krijimin e kushteve për një konkurrencë të lartë në pjesën e mbetur të procesit të privatizimit të 75% të aksioneve të PTK-së. Pjesëmarrja e këtyre kompanive, nga e gjithë globi në procesin e privatizimit të PTK-së tregon qartë për atraktivitetin e kompanisë dhe tregut të telekomit në Republikën e Kosovës.
KQP në ditët në vijim do të përgatisë hapat tjerë për hapjen e tenderit për shitjen e aksioneve të PTK-së, në të cilin tender do të ftohen të marrin pjesë kompanitë e parakualifikuara. Tenderi pritet të hapet në fillim të muajt shtator, ndërsa do të qëndroj i hapur për rreth 2 muaj.
KQP e vlerëson të përmbyllur me shumë sukses fazën e parkualifikimit.
Profili i kompanive të parakualifikuara
– AlbrightCapitalManagement (ACM), në bashkëpunim me PortugalTelecom
AlbrightCapitalManagement LLC është themeluar në vitin 2003. Kjo kompani që nga viti 2007 ka ngritur fonde për investime në vlerë prej mbi 600 milion dollarë amerikan. Kompania ka asete nën menaxhim në vlerë prej mbi 700 milionë dollarë. Kompania menaxhon fonde të ndryshme investuese në vende të ndryshme të botës.
ACM në garë për blerjen e PTK-së ka hyrë në bashkëpunim me Telekomin Portugez për operim dhe menaxhim. Telekomi portugez, operon në disa vende të botës, dhe ka të hyra vjetore prej afër 4 miliardë euro.
– TwelveHornbeams, UK (InnovaCapital) dhe AviciennaCapital, UK në bashkëpunim me Sofrecom (pjesë e France Telecom)
TwelveHornbeams, është themeluar nga InnovaCapital. Gjatë 17 viteve të fundit InnovaCapital ka investuar në disa operatorë shumë të rëndësishëm të telekomit, përfshirë ndër të tjera GTS Central Europe, EnergisPolska, Voxtel (OrangeMoldova), Mobitel, etj. dhe ka investuar rreth 500 milion euro nëpër vende të ndryshme të Evropës Jug-Lindore, ndërsa menaxhon me asete me vlerë prej 900 milion Euro në këtë regjion.
AviciennaCapital, është firmë private e investimeve direkte me zyra në Londër dhe Stamboll. E themeluar në vitin 2003 kjo kompani ka investuar në sektorë të ndryshëm strategjik në Azi dhe Evropë.
Avicienna është duke kërkuar zgjerimin e investimeve të saj në telekom dhe energji.
Këto dy kompani në garë për blerjen e PTK-së ka hyrë në bashkëpunim me Sofrecom që është pjesë e France Telecom.
– ColumbiaCapital, USA dhe AxosCapital, në bashkëpunim me BritishTelecomPoland (pjesë e BritishTelecom)
ColumbiaCapital është fond investues me fokus në teknologji informative, telekomunikime, internet, media etj. E themeluar në vitin 1989 ka investuar në këta sektor duke investuar në 130 kompani në mbarë globin. Kanë nën menaxhim mbi 2.5 miliard dollar.
AxosCapitalPartners është shoqëri aksionare investuese e investitorëve liderë ndërkombëtarë të teknologjisë dhe telekomit, me kapital privat në vlerë prej rreth 4 miliardë dollarë.
ColumbiaCapital dhe AxosCapital për transaksionin e PTK-së ka hyrë në bashkëpunim me British Telecom.
– M1 Group, Lebanon
M1 Group është një grup investues, me përvojë në investime në fusha të ndryshme, si telekomunikimi, aviacioni, energjia, ndërtimi etj. Është themeluar në vitin 1960, ndërsa ka filluar të investoj në tregun e telekomit që nga viti 1980, ku kompania më e madhe e telekomunikimit në të cilën ka investuar ka qenë Investcom.
– Turkcell, Turqi
Turkcell është operatori më i madh i telefonisë mobile në Turqi. Ofron shërbime të telefonisë dhe shërbime të internetit nëpërmjet sistemit të tij global të rrjetit të komunikimit.Kompania ofron gjithashtu edhe shërbimet tjera në fushën e telefonisë dhe internetit. Operon në nëntë vende të botës, me 65 milionë konsumatorë. Ka pasur të hyra për vitin e fundit prej mbi 4 miliard dollarë.

