Përurohet projekti i efiçiencës së energjisë në Komunën e Podujevës

Prishtinë, 1 dhjetor   2011- Drejtues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Komunës së Podujevës  dhe përfaqësues të  GIZ-it  të enjten kanë inauguruar projektin e ndriçimit efiçientë në rrugën “Zahir Pajaziti në Podujevë me vlerë prej 79 mijë euro me çka sigurohet një kursim i energjisë  rreth 13 mijë euro në vit. 

Në mënyrë simbolike butonin e startimit të ndriçimit e shtypën  zv.ministri i Zhvillimit Ekonomik Gani Koci, kryetari i Komunës së  Podujevës Agim Veliu dhe përfaqësuesi i GIZ-it Avni Sfishta.

Me këtë rast, zv.ministri i Zhvillimit Ekonomik Gani  Koci ka theksuar se projekti për ndriçimin efiçientë të disa rrugëve në Podujevë është vetëm një pjesë e një pakoje projektesh që MZHE në bashkëpunim me GIZ-in  dhe komunat përkatëse është duke zhvilluar në Kosovë. “ Qëllimi i këtij projekti është që të ketë një ndriçim kualitativ me kosto sa më të ulët të shpenzimit të energjisë elektrike si dhe kursimi i energjisë. MZHE me vija të veta buxhetore do të vazhdoj edhe më tutje me projekte të tilla por gjithmonë duke u përkrahur edhe nga të tjerët “ ka thënë zv.ministri Koci. Ai më tutje ka shtuar se nga ky projekt  llogaritja e kursimeve në vit arrin në 40%, ndërsa me mjete financiare nënkupton  rreth 13 mijë euro kursime brenda vitit. 

Ndërsa kreu i Komunës së Podujevës Agim Veliu ka falënderuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik  dhe GIZ-in për projektin që ka realizuar në këtë komunë duke pohuar se projekti ka rëndësi të madhe për qytetarët e kësaj komune . “Me këtë projekt ndriçohen 15 rrugë të qytetit të Podujevës që kapin gjatësi  10 kilometra dhe që është i një rëndësie të veçantë sidomos në kursimin e energjisë elektrike “.

Ndërsa, përfaqësuesi i GIZ-it Avni Sfishta ka pohuar se  projekti hyn në kuadër të përmbushjes se obligimeve nga Traktati i Komunitetit të Energjisë dhe direktivave të BE-së që kanë të bëjnë më kursimin e energjisë. 

Ndryshe , për  këtë projekt MZHE ka ndarë 26 mijë euro, Komuna e Podujevës 23 mijë ndërsa GIZ 30 mijë euro.