Përurohen tre gjeneratorët e parë me erë
Më këtë rast, ministrja Justina Shiroka-Pula ka pohuar se Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM) ka përkrahur këtë projekt që nga inicimi i tij për faktin se ky projekt përbën njërin nga hapat shumë të rëndësishëm, që njëkohësisht është edhe synim kryesor i MEM, pra shfrytëzimin e energjisë së ripërtërishme.
“Qeveria e Kosovës ka mbështetur këtë projekt, i cili po ashtu shënon edhe hapin e parë të furnizimit të energjisë me anë të gjeneratorëve të erës”, ka thënë Ministrja Shiroka-Pula.
Ajo ka shtuar se projekti, po ashtu bën pjesë edhe në synimet që ne kemi si MEM për t’i përmbushur rekomandimet e BE-së, në shfrytëzimin e Energjisë së ripërtëritshme.
Nga ana tjetër, Esad Sadrija menaxher i kompanisë Wind Power SH.A, i cili e ka realizuar projektin, e ka falënderuar MEM-in dhe institucionet tjera për ndihmën e madhe që i kanë ofruar, që siç e cilësoi ai, pa ndihmën e të cilave projekti nuk do të kishte mundësi të finalizohej.
“Falënderoj MEM-in dhe institucionet tjera që e kanë përkrahur projektin e gjenerimit të energjisë me gjeneratorë të erës”, ka thënë Sadria.
Ai ka pohuar se tashmë një kohë të gjatë jeton jashtë vendit, ndërsa ndihma që MEM i ka dhënë në këtë projekt e ka inkurajuar që të mos hezitojë të investojë në Kosovë në fushën e gjeneratorëve të erës.
“Ne që kemi investuar këtu jemi shtetas të Kosovës. Investimi s’ka përfunduar ende, sepse janë pikat tjera të cilat janë në fazën e investimeve. Kapaciteti momental në Golesh është 1.35 megavat, këto janë investime fillestare”, ka sqaruar Sadrija.
Shoqëria Aksionare “Wind Power” është kompani shqiptaro-gjermane që ka për qëllim prodhimin e energjisë elektrike nga era, duke kontribuar kështu në ruajtjen e ambientit dhe shfrytëzimin e erërave në pjesë të caktuara të Kosovës.

