Përurohen dy shkolla me izolim termik në Gjakovë
Gjakovë, 16 shtator 2010 – Zëvendësministri i Energjisë dhe Minierave, Dr.techn. Blerim Rexha së bashku me të ngarkuarin me punë në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian Kjartan Bjorson dhe nënkryetari i Komunës së Gjakovës Agim Koci, kanë përuruar izolimin termik të dy shkollave fillore “Emin Duraku “ dhe “ Selman Riza“.
Izolimi termik përfshin masat efiçiente të energjisë elektrike. Me këtë rast zv.ministri i Energjisë Dr.techn Blerim Rexha tha se zhvillimi i ekonomik i shoqërisë varet në mënyrë direkte nga energjia që ajo shoqëri ka në disponim.
“Për ta zhvilluar ekonominë tonë ne duhet të kemi, të gjenerojmë energji më shumë. Siç e dini projektet kapitale që do të ndikojnë në këtë drejtim janë projekti Kosova e Re, Hidrocentrali Zhurit dhe Hidrocentralet e vogla, të cilat projekte tani më kanë hyrë në fazën finale të përzgjedhjes së investitorëve” është shprehur Rexha, duke shtuar se në këtë mënyrë Kosova do të ketë mundësi të prodhoje më shumë energji për të mbuluar kërkesën gjithnjë në rritje.
Rexha duke folur për izolimin termik të dy shkollave në Gjakovë përkujtoi se KE për këtë qëllim ka ndarë 1.3 milionë euro, respektivisht për implementimin e masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesa publike.
“Sh.f. “Emin Duraku dhe Selman Riza janë dy përfituesit e parë të këtij projekti. Ndërtesat publike janë një nga konsumuesit më të mëdhenj të energjisë në tërësi, prandaj edhe ne i kemi përzgjedhur këto objekte që ti implementojmë këto masa. Ne presim që kursimi i energjisë në këto objekte të jetë rreth 40%. Këto dy shkolla nuk janë të vetmet përfituese nga ky projekt, masa te ngjashme te efiçiencës janë duke zhvilluar edhe në spitalin e Gjilanit dhe në shkollat fillore “Ismail Qemail” dhe “Gjin Gazulli” në Prishtinë.” ka thënë Rexha.
Nga ana tjetër Kjartan Bjorson i ngarkuari me punë në Zyrën Ndërlidhëse të KE-së ka pohuar se janë të kënaqur për investimin që kanë bërë “ Jemi të vetëdijshëm se brezi i ri kosovar tek i cili është e ardhmja e këtij vendi meriton kushte sa më të mira për t’u arsimuar. Për këtë arsye në nuk kemi hezituar të ndihmojmë këto dy shkolla e nuk do të hezitojmë as në të ardhmen “ ka thënë Bjorson.
Ndryshe, izolimi termik ka përfshirë muret e jashtme të shkollës kulmit, instalimi i dritareve dhe dyerve të reja plastike, ndërrimi i sistemit ekzistues të ngrohjes si dhe instalimi i sistemit të ri të ndriçimit në njërën shkollë.