Përmbyllet seminari informues dy-ditor për biznese në tregun e hapur të energjisë elektrike
Prishtinë, 12.06.2025 – Është përmbyllur dita e dytë e seminarit informues për biznese në tregun e hapur të energjisë elektrike, të organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime në vazhdën e diskutimeve për liberalizimin e tregut të energjisë.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Gramoz Hashani ka prezantuar informatat lidhur me mundësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) të cilën e ofron Korporata Energjetike e Kosovës sipas obligimit që i është vënë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Hashani informoi që roli i FMF-së është të sigurojë furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike për konsumatorët të cilët nuk kanë arritur të lidhin kontrata komerciale, për një periudhë kalimtare deri më 30 korrik 2025. Për të përfituar nga ky shërbim, konsumatorët duhet lidhur kontrata me KEK-un ku Hashani njoftoi që deri më tash janë lidhur 675 kontrata me konsumatorë komercialë.
Arben Kllokoqi, Udhëheqës i Sektorit për Rregullim të Tregut në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, prezantoi një sërë skenarësh të ndërtuar sipas profileve të ndryshme të konsumatorëve, me qëllim që t’u ndihmohet bizneseve të krahasojnë më lehtë ofertat për furnizim me energji, dhe të marrin vendime më të sigurta dhe të përshtatshme për nevojat e tyre.
Përveç kësaj, Kllokoqi ndau përvojat dhe perspektivat e Komunitetit të Energjisë për zhvillimin e mëtejshëm të tregut të energjisë në rajon. Diskutimi u pasua me një sesion të hapur, gjatë të cilit u trajtuan pyetjet dhe paqartësitë e ndryshme lidhur me ofertat e furnizimit dhe praktikat më të mira kontraktuale.
Seminari dy-ditor u organizua me qëllim të zhvillimit të aftësive të kompanive për menaxhimin e furnizimit me energji në tregun e hapur. Ai synoi rritjen e kapaciteteve dhe ofroi informata praktike për orientim më të mirë në kushtet e reja të tregut të liberalizuar.