Përmbyllen konsultimet publike për Strategjinë e Energjisë 2022-2031 nëpër komuna
Prishtinë dhe Gjakovë, 24.06.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me bashkëpunëtorë nga Departamenti i Energjisë ka përmbyllur konsultimet publike rreth Strategjisë së Energjisë 2022-2031 me qytetarët, asambleistët dhe ekspertët e energjisë në Komunën e Prishtinës dhe Gjakovës.
Ministrja Rizvanolli dhe ekspertët e sektorit të energjisë që kanë punuar në hartimin e draftit të Strategjisë kanë prezantuar para qytetarëve dhe ekspertëve të Komunës së Prishtinës dhe Gjakovës planet dhjetëvjeçare për sektorin e energjisë si dhe vizionin që ka Qeveria e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.
E para e ME-së ripotencoi rëndësinë që ka kjo strategji në sigurimin e furnizimit me energji elektrike, përballueshmërinë e çmimeve, integrimin në tregun rajonal në energji të pastër dhe efiçiente.
Ministrja Rizvanolli tha se Qeveria e Republikës së Kosovës përmes hartimit të Strategjisë së Energjisë 2022 -2031 synon përkushtimin e saj në mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm.
Ndërsa qytetarët dhe ekspertët e fushës së energjisë nga ana e tyre shprehën interesimin e tyre rreth Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031 dhe diskutuan mbi idetë e tyre rreth kësaj strategjie.
Draft-Strategjia e Energjisë 2022-2031 është në diskutim publik deri më 27 qershor 2022 në platformën e Diskutimeve Publike si dhe në ueb-faqen e Ministrisë së Ekonomisë.