Përkujtohen 376 të vrarët e masakrës së Mejës
Gjakovë, 27.04.2024 – Në Ditën e të Zhdukurve me Dhunë, sot janë përkujtuar 376 të vrarët e masakrës së Mejës, ku të pranishëm ishin krerët e Republikës së Kosovës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka theksuar se në Mejë të Gjakovës përkujtuan 376 të vrarët e masakrës së Mejës, djem e burra 16-75 vjeç, dhe shqiptarë të tjerë të vrarë, përfshirë gra e fëmijë që janë varrosur këtu, e të tjerë që 25 vite pas ende nuk janë gjetur.
Ajo po ashtu ka thënë se sot është edhe Dita e të Zhdukurve me Dhunë kur përkujtojmë 1,597 persona, trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur.
“Secili varr, secili i vrarë e i zhdukur, e secila familje e dëshmorëve, na mbush zemrën me dhembje e krenari, por gjithashtu na përforcon ndjenjën e detyrës që kemi për të punuar për shtetin tonë që e kemi arritur me kaq sakrificë”, vlerësoi Rizvanolli.