Orientimet energjetike të Kosovës, konform politikave të BE-së

Prishtinë, 17.12.2012 –  Kosova ka marrë të gjitha hapat e nevojshëm që brenda mundësive t’i realizojë objektivat e BE-së për politikën 20-20-20, në të cilën edhe shtetet e BE-së kanë tolerime, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj në konferencën e organizuar nga “Forumi 2015” ku u publikua raporti “Patologjia e një vonese – 10 gabimet që frenuan perspektivën e energjetikës në Kosovë”.

Ministri Beqaj ka vlerësuar se raporti në fjalë nuk përkon me zhvillimet reale në sektorin e energjisë, përveçse rendit gabimet e presupozuara nga ana e shoqërisë civile.

Ai ka thënë se predimensioni investiv për një termocentral 2100 megavat ka qenë i pa analizuar mirë, pasi shteti do të futej në borxh deri në 100 për qind të GDP-së për të dhënë garanci, por pa marrë mjete për të përkrahur zhvillimin ekonomik.

Beqaj ka thënë se, përveç faktorëve që janë përmendur në raport, ka qenë dashur të përmendej edhe kriza globale e vitit 2008 që ka pasur ndikim direkt.

Kreu i MZHE-së tha se ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës janë në harmoni apo në raste të caktuara të përafruara me legjislacionin e BE-së, në mënyrë që ato të jenë të zbatueshme në Kosovë.

Sa i përket termocentralit “Kosova A”, ministri Beqaj ka thënë se Kosova do të veprojë në kuadër të obligimeve që ka marrë për mbylljen e tij sa më parë, por me disa kushte për BE-në.

“BE-ja duhet të na ofrojë një program social për largimin e njerëzve nga puna dhe dy që BE-ja të na mbulojë për kohën sa do të kemi zbrazëtirën me energji elektrike që ne do ta krijonim me mbylljen e ‘Kosovës A”, ka thënë Beqaj, duke shtuar se është kërkuar përkrahje për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

Ai ka thënë Qeveria ka marrë garanci nga 3 kompani të parakualifikuara që do të jenë në tenderin për Kosovën e Re, prandaj shumë shpejt do të shpallet koha e pranimit të ofertave nga këta investitorë dhe se nuk do të ketë tender të ri.
Nga ana e tij, Jan Peter Olsen kryesues i Bankës Botërore në Kosovë ka thënë se këto vonesa që kanë ndodhur në sektorin e energjisë kanë qenë të shëndetshme dhe në interes të Kosovës.

Besoj se strategjia e sotme reflekton shqetësimet në të gjitha dimensionet duke shërbyer për arritjen e objektivave të caktuara ndërsa ka shtuar se inputet e aktorëve aktivë janë reflektuar në strategjinë finale”, ka thënë Olsen.

Ai ka thënë se Kosova nuk mund të bazohet plotësisht në thëngjill për prodhimin e energjisë elektrike, por uji,era dhe format e tjera të burimeve të ripërtërishme të energjisë mund të sjellin ndryshime në përbërjen e furnizimit të vendit me energji.

Thomas Gnocchi nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se sfida më e vështirë në vitet e ardhshme është mbyllja e Termocentralit Kosova, që sipas studimeve është një ndotës i madh i ambientit dhe shkakton sëmundje respiratore në popullatën që jeton në rrethin e tij.

Ai ka thënë se investimet në këtë Termocentral në filtra mund të përmirësojnë ndotjen e ambientit por nuk mund të bëjnë atë që emetimin ta ketë sipas standardeve të BE-së.