Noterët do të kenë qasje në regjistrin pronësor të administruar nga AKK-ja

 

Prishtinë, 07.10. 2020 – Si rezultat i bashkëpunimit politik mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Ministrisë së Drejtësisë, njëherit bashkëpunimit profesional mes Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) dhe Odës së Noterëve të Kosovës (ONK) në fushën e hapjes së të dhënave, ofrimit të qasjes për noterët në regjistrin pronësor që administrohen nga AKK, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit mes AKK-së dhe ONK-së.

 

Përmes këtij Memorandumi të Bashkëpunimit synohet që zyrave noteriale, bazuar në legjislacionin në fuqi, t`iu sigurohet qasje në shikim, printim dhe shënim në certifikatat pronësore të administruara nga AKK-ja në Sistemin e Informacioneve Kadastrale për territorin e Kosovës.

 

Nënshkrimit të memorandumit i parapriu takimi mes zëvendësministres së Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, Burbuqe Deva Bakija, zëvendësministrit të Ministrisë së Drejtësisë, Florian Dushi, Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti dhe Kryetarit të Odës së Noterëve, Aliriza Beshi.

 

Në këtë takim u vlerësua akti i marrëveshjes, duke potencuar se përfitues kryesorë nga një proces i tillë do të jenë vetë qytetarët e Republikës së Kosovës, pasi që në këtë mënyrë do të ngrihej shkalla e sigurisë së transaksioneve pronësore, shmangen procedurat burokratike, ngritet shkalla e transparencës, mundësohet ofrimi i të dhënave kualitative e në kohë reale, si dhe do të ulen edhe shpenzimet e qytetarëve e ngjashëm.

 

Zëvendësministrja Deva-Bakija vlerësoi këtë të arritur, duke thënë se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit do të jetë përkrahëse e përhershme e nismave nga të cilat përfitojnë institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës dhe garantoi përkrahjen e vazhdueshme në të gjitha sektorë që i mbulon Ministria Ekonomisë dhe Ambientit.

 

Nga ana tjetër Zëvendësministri Dushi theksoi se Ministria e Drejtësisë do të jetë e hapur dhe e gatshme për të bashkëpunuar në secilin rast me qëllim të koordinimit dhe përmirësimit qoftë përmes korrigjimit të rregullativës ligjore, të cilat do të ofronin lehtësi dhe siguri juridike si për qytetarët ashtu edhe për punën e noterëve në Kosovë.