Nisin përgatitjen për themelimin e One Stop Shop për BRE
Prishtinë, 13.10.2015 – Nën drejtimin e zëvendësministres së zhvillimit ekonomik, Besa Zogaj – Gashi, është mbajtur takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e Koncept Dokumentit për themelimin e “One Stop Shop”-it që ka për qëllim përshpejtimin e procedurave të investimeve për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë.
Zëvendësministrja Zogaj – Gashi vlerësoi me këtë rast se një mekanizëm i tillë do të eliminonte barrierat administrative dhe do të lehtësonte arritjen e cakut prej 25% për BRE, që Kosova ka marrë si obligim në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Ajo bëri të ditur se edhe ligjet janë fazën e transpozimit të plotë të Pakos së Tretë të direktivave të BE-së për sektorin e energjisë, ku përfshihen edhe burimet e ripërtëritshme të energjisë, ku gjithashtu është përfshirë themelimi i “One Stop Shop” për BRE.
Sipas saj, objektivat e grupit punues janë:
• Të rekomandojë Koncept Dokumentin për themelimin e “One-Stop-Shop” (OSS) me qëllim të përshpejtimit të projekteve të Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë;
• Të identifikojë proceset administrative që duhet të thjeshtësohen dhe/apo harmonizohen dhe të ofrojë rekomandime për zgjidhjen e tyre;
• Të zhvillojë hapat e detajuar për themelimin e OSS në pajtim me konceptin e aprovuar dhe të ofrojë rekomandimet adekuate;
• Të monitorojë punën e OSS për një periudhe disa mujore edhe pas themelimit për të mbikëqyrur performancën dhe efektivitetin e punës së OSS dhe të bëjë rekomandime sipas nevojës.
Koncept Dokumenti për themelimin e “One-Stop-Shop”-it do t’i paraqitet për miratim Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Të gjithë të pranishmit shprehën gatishmërinë e institucioneve që përfaqësojnë për të realizuar këtë objektiv, duke vlerësuar si nevojë të domosdoshme për lehtësimin e investimeve në këtë sektor.
Në takim u prezantua edhe plani dinamik i punës së Grupit Punues ndërinstitucional.
Ndryshe, investimet në BRE dhe krijimi i një ambienti më të përshtatshëm për biznes dhe investime, ndikojnë në zhvillim ekonomik dhe rritje të punësimit që njëherë është shtylla e parë e Programit të Qeverisë 2015-2018 (aprovuar) dokumentin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim (në proces).