Nis Pilot projekti Gratë në Punë Online (WoW) me 63 përfituese në Lipjan

Prishtinë, 22.02.2016 – Pilot projekti i parë i këtij lloji, i quajtur Gratë në Punë Online (WoW) nisi së zbatuari sot në komunën e Lipjanit, duke ofruar trajnime bazike për 63 femra të cilat po e vijojnë trajnimin. Trajnimi në komunën tjetër do të fillojë javën që vjen. Duke ofruar trajnime të specializuara në Kodim dhe Shkathtësi të buta, ky pilot projekt ka për qëllim rritjen e mundësive për punësim të një grupi të caktuar të grave të reja të papunësuara në punë “green” apo “të gjelbra”, të cilat krijohen përmes kontraktimit të punëve online të TI, industri kjo në rritje e sipër.

WoW është dizajnuar nga Banka Botërore – Praktika Globale –Transporti  dhe Teknologjia Informative dhe Komunikuese (TIK) si dhe financohet përmes fondit Korea Green Growth Trust Fund, si pjesë e fazës së parë të programit të asistencës teknike “Rritja Inovative për viset rurale në Kosovë”. Firma daneze CodersTrust, e cila është e specializuar në gjetjen e zgjidhjeve për edukim online dhe për gjetjen e shërbimeve online që kërkohen në tregun e punës, e ka fituar tenderin ndërkombëtar për të implementuar këtë pilot projekt në komunat e Lipjanit dhe Gjakovës.

Për të marrë pjesë në këtë pilot projekt, aplikueset femra është dashur që të kalojnë me sukses tri teste online: gjuhë angleze, testin logjik dhe HTML, pas të cilave i janë nënshtruar edhe intervistave përmes telefonit. Thirrja për aplikim është publikuar në dy faza gjatë periudhës nga mesi i nëntorit deri në fillim të shkurtit. Gjithsej mbi 1000 femra kanë shprehur interes për të marrë pjesë në këtë pilot projekt. Grupi i aplikueseve të kualifikuara, të identifikuara pas kalimit të testeve dhe intervistave  telefonike, më pas është ftuar për të marrë pjesë në trajnimet e organizuara në laboratorin kompjuterik të Universitetit për Biznes dhe Teknologji – UBT në komunën e Lipjanit dhe në Qendrën për Aftësim Profesional –QAP  në Gjakovë.

“Ministria jonë është krenare që është duke realizuar pilot projektin WoW si pjesë e programit më të madh “Gratë në TIK”, qëllim i së cilës është të hapë dyert për gratë kosovare drejt gjetjes së vendeve të punës në tregun vendor të TIK si dhe në ekonominë digjitale globale”, ka thënë, Besa Zogaj-Gashi, Zëvendësministre e Zhvillimit Ekonomik në Kosovë. Ajo tha se ky projekt gjithashtu përputhet mirë me nismën tonë më të madhe – Ekonomia Digjitale e Kosovës (KODE), e cila aktualisht është duke hulumtuar mënyra për të përkrahur zhvillimin e infrastrukturës digjitale për të ardhmen në zona rurale, si dhe për shfrytëzimin më produktiv të internetit brezgjerë për zhvillimin e shkathtësive dhe bizneseve në TIK anembanë Kosovës.

Zhvillimi i ekonomisë digjitale është identifikuar si një nga prioritetet e politikave të Qeverisë së Kosovës. Masat për përkrahjen e ekonomisë digjitale janë përkufizuar në Agjendën Digjitale të Kosovës 2013-2020, si dhe në Strategjinë Kombëtare të TIK të aprovuar së fundmi. Me kërkesë të Qeverisë, Banka Botërore ka zhvilluar aktivitete të vazhdueshme që nga viti 2014 në formë të ofrimit të asistencës teknike në fushën e TIK, me qëllim që t’i ndihmohet vendit në hyrjen në ekonominë digjitale globale. Përtej pilot projektit WoW, një pjesë e madhe e financimit përmes grantit është shfrytëzuar për studime të fizibilitetit mbi avancimin e qasjes së viseve rurale në internet brezgjerë, fillimit të shfrytëzimit të përbashkët të infrastrukturës nga sektorët e energjisë dhe telekomunikacionit, dhe për analizimin e shkathtësive të vendit në TIK.

Specialistja e Lartë për Politika të TIK pranë Bankës Botërore Natalija Gelvanovska, e cila e udhëheqë punën në programet e TIK në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me rastin e nisjes së pilot projektit deklaroi: “Për të siguruar që teknologjitë digjitale do të sjellin përfitime për të gjithë njerëzit dhe për çdo pjesë të Kosovës – duke parafrazuar në Raportin e Zhvillimit Botëror në “Dividenca Digjitale”- të vitit 2016, duhet të ekzistojë infrastruktura digjitale përkatëse, dhe kapacitetet teknike për të shfrytëzuar TIK duhet të jenë të qasshme për të gjithë e jo vetëm për grupe të caktuara. Përmes një pilot projekti si WoW ne mëtojmë të demonstrojmë ndikimin potencial të një intervenimi mbarëkombëtar në fushën e TIK, i cili do të krijonte lidhjen mes fuqisë punëtore të papunësuar dhe mundësive të ndryshme të punësimit dhe arsimimit digjital, duke siguruar qasje të shtuar në internet të shpejtësisë së lartë dhe promovuar zhvillimin më të gjelbër”.

Gjithsej 126 femra do të trajnohen përmes WoW, në një program gjashtëmujor i cili do zgjasë prej shkurtit deri në gusht 2016, me të cilin do të mësojë se si të kodojnë dhe promovojnë veten si konkurruese në tregun e ofrimit të shërbimeve online.  Përgjatë tërë këtij programi, femrat e trajnuara në WoW do të kenë qasje tek mentorë me përvojë në programim dhe këshillues të karrierës, të cilët do tu ndihmojnë në rrugëtimin e tyre, i cili nuk do të jetë i lehtë por sigurisht do të jetë emocionues.

Programi mësimor i këtij pilot projekti dhe algoritmi i vlerësimit të të trajnuarve është i bazuar në modelin e CodersTrust, me të cilin shërbehen mbi 800 studentë në Bangladesh, Indi, Kenia dhe tani në Kosovë, të cilët duan të bëhen ofrues të shërbimeve të TIK online. Kompania është orientuar drejt mbulimit të një demografie më të gjerë, përfshirë bazën e piramidës, për të cilën duhet të ofrojë një sistem të përfshirjes financiare që ofron qasje në edukim dhe tregun e punëve online.

“Ne jemi krenarë që CodersTrust është përzgjedhur nga Banka Botërore dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës për të implementuar projektin WoW,” tha Asser Smidt, bashkëthemelues i kësaj firme. “Stafi jonë ndërkombëtar dhe lokal është i përkushtuar për të dëshmuar se modeli ynë mund të rezultojë me përmirësime sistematike shoqërore dhe të ofrojë një të ardhme më të mirë dhe më të ndritur për kosovarët e rinj. Ne kemi pritje të mëdha dhe shpresojmë se me implementimin e WoW ne do të mund të ndihmojmë në sigurimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme për komunitete të tëra, duke u siguruar mijëra vijuesve arsimim dhe mundësi më të mira punësimi”.