Nesër në Londër, mbahet konferenca me investitorë potencial për PTK-në

Prishtinë, 21. 05. 2012 – Nesër, më 22 maj 2012, në Londër, mbahet konferenca me investitorë potencial për Postën dhe Telekomin e Kosovës. Konferenca ka për qëllim prezantimin para investitorëve të potencialit investues në Postën dhe Telekomin e Kosovës.

Në konferencë do të prezantohet kompania, zhvillimet në tregun e telekomit në Kosovë dhe procesi i privatizimit të PTK-së, ndërsa investitorët do të kenë mundësinë të shprehin qëndrimet e tyre dhe të shtrojnë pyetje për këtë proces. 

Ndryshe,  pjesëmarrjen në konferencë e kanë konfirmuar investitorë nga e gjithë bota, gjë që përbën një parametër shumë pozitiv për atraktivitetin  e kompanisë. 
Konferenca do të udhëhiqet nga Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, ndërsa PTK-në do ta prezantoj Kryeshefi Ekzekutiv,  Ejup Qerimi.

Kjo konferencë organizohet nga Këshilltari i Transaksionit i Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së.