Nënshkruhet shprehja e vullnetit për bashkëpunim afatgjatë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës

Prishtinë, 20 dhjetor, 2021 – Përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë nënshkruar dy letër-qëllime, me ministrat e Qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës, gjegjësisht Ministrin e Drejtësisë, Nick Hakkerup si dhe Ministri i Bashkëpunimit Zhvillimor, Flemming Moller Morteensen. Ky akt i hapë rrugë marrëveshjes bilaterale përmes së cilës Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës hyjnë në partneritet bashkëpunimi afatgjatë në fushën e shërbimeve të burgjeve dhe investimeve në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë.

Për këtë qëllim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ofruar gatishmërinë e saj që të jep në dispozicion të Mbretërisë së Danimarkës kapacitete të burgut në Kosovë për 300 vende për të burgosurit nga Danimarka për të cilën gjë, Ministria e Drejtësisë e Mbretërisë së Danimarkës është pajtuar që të paguajë një tarifë vjetore prej 15,000,000 € në vit për një periudhë fillestare pesë vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një periudhë tjetër pesë vjeçare.

Republika e Kosovës nga kjo marrëveshje përfiton 210 milion euro, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme do të dedikohen për investime kapitale, gjegjësisht për energji të ripërtëritshme.

Ministrja Rizvanolli, është shprehur se, të kemi përkrah Mbretërinë e Danimarkës si një ndër shtetet lidere për hulumtim, zhvillim dhe rritje të pjesëmarrjes së Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë si dhe të kemi bashkëpunim më të thellë me ta sidomos në fushën e energjisë, do të jetë e rëndësisë së veçantë për ne si shtet si dhe më e lehtë për tranzicionin tonë energjetik.

Ky akt është një tregues që thekson gatishmërinë për rikthimin e bashkëpunimit si partnerë strategjik në mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, i rëndësishëm për të ardhmen e të dy shteteve dhe popujve tanë.