Në thirrjen “Praktikë në Qeveri”, 9 të rinj fillojnë punën praktike në Ministrinë e Ekonomisë

Prishtinë, 04.11.2024 – Në kuadër të programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës “Praktikë në Qeveri” për punë praktike me pagesë për gjashtë muaj, në Ministrinë e Ekonomisë (ME)  kanë filluar punën praktike 9 të rinj.

Kandidatët janë përzgjedhur duke u bazuar në nevojën dhe kërkesat e njësive të ME-së, ku prioritet u është dhënë drejtimeve në: Inxhinieri Mekanike, Teknologji Informative, Inxhinieri Softuerike, Dizajn Grafik, Financa, Ekonomik dhe Juridik.

Me rastin e nënshkrimit të kontratave dhe fillimit të punës, praktikantët i kanë përshëndetur nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Zëvendësministri Getoar Mjeku, Sekretari i Përgjithshëm, Arsim Tahiri dhe njësitë kërkuese të cilët, u kanë uruar mirëseardhje dhe suksese në punë.

“Arjeta, Eglantina, Sahiti, Era, Ardija, Fatlindi, Albana, Edona dhe Aulona, nga fushat e Inxhinierisë Mekanike, Teknologjisë Informative, Ekonomisë dhe Dizajnit Grafik, kanë filluar punën praktike me pagesë në Ministrinë e Ekonomisë, përmes programit të suksesshëm të Qeverisë së Kosovës ‘Praktikë në Qeveri’”, ka theksuar Ministrja Rizvanolli dhe ka shtuar se kjo është një mundësi e mirë për ta si student të vitit të fundit, apo të sapodiplomuar, për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për t’u përgatitur për tregun e punës.

Të drejtë konkurrimi për punë praktike në Zyrën e Kryeministrit dhe nëpër ministri, kanë pasur të rinjtë deri në moshën 29 vjeçare, që janë në vitin e fundit të studimeve, të diplomuar në nivelin Bachelor, apo Master, në drejtimet e specifikuara në shpallje dhe që kanë notën mesatare në studime më të lartë se 8.0.