Në Raportin e Komisionit Evropian vlerësohet se Kosova ka shënuar progres të dukshëm në sektorin e energjisë

Prishtinë, 31.10.2024 – Në Raportin për vendin të Komisionit Evropian (KE) për vitin 2024, vlerësohet se Kosova ka shënuar progres të dukshëm në sektorin e energjisë.

Shefi i Zyrës së  Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadori Aivo Orav dje ia ka dorëzuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, “Raportin për Kosovën 2024” të hartuar nga Komisioni Evropian, i cili vlerëson përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në Raport janë vlerësuar të arriturat e Republikës së Kosovës në sektorin e energjisë, veçanërisht fillimi i faturimit të energjisë elektrike në komunat veriore të Republikës.

Po ashtu, vlerësim pozitiv ka bashkëpunimi i Kosovës me Shqipërinë si vendet e para të Komunitetit të Energjisë që kanë arrit bashkimin e tregjeve energjetike përmes funksionalizimit të Bursës Shqiptare të Energjisë – ALPEX, si  dhe theksohet rritja e sigurisë së furnizimit energjetik.

Sa i përket burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në Raport thuhet se Kosova ka miratuar Ligjin për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe se ky ligj është në përputhje me Direktivën e Energjisë së Rinovueshme dhe krijon një skemë gjithëpërfshirëse të mbështetjes së bazuar në treg për burimet e rinovueshme, e cila pritet të lehtësojnë ankandet e energjisë.

Po ashtu, veçanërisht theksohet se Kosova ka përfunduar me sukses ankandin e saj të parë të energjisë diellore, ku vlerësohet se procesi ka qenë i hapur, transparent dhe është pritur mirë nga investitorët.

Sa i përket subvencionimit të efiçiencës së energjisë, vlerësohet se është arritur progres i mirë me masat efikase në sektorin rezidencial dhe privat si pjesë e mbështetjes së energjisë e financuar nga Bashkimi Evropian.

Raportin e plotë mund ta lexoni në linkun: https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/kosovo-report-2024_en