Ndriçimi efiçientë edhe në rrugët e Mitrovicës

Prishtinë, 26 nëntor 2011 – Drejtues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Komunës së Mitrovicës dhe GIZ kanë inauguruar dje projektin e ndriçimit efiçientë në rrugën “Brigada 141”, në Mitrovicë me vlerë prej 59 mijë euro me çka sigurohet një kursim i energjisë 14 mijë euro në vit. 

Në mënyrë simbolike butonin e fillimit të ndriçimit e shtypën Zv.Ministi i Zhvillimit Ekonomik Gani Koci, kryetari i Komunës së Mitrovicës Avni Kastrati dhe përfaqësuesja e Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ, Gabriele Becker.

Me këtë rast, zv.ministri Koci ka theksuar se projekti për ndriçimin efiçient të disa rrugëve në Mitrovicë është vetëm një pjesë e një pakoje projektesh që MZHE në bashkëpunim me GIZ dhe komunat përkatëse është duke zhvilluar në Kosovë.

“Ne me këtë projekt, në aspektin fizik nuk po prodhojmë energji, por po realizojmë një kursim të madh të energjisë për ndriçimin e rrugëve dhe pa cenuar kualitetin e ndriçimit, kemi zvogëluar kërkesën për energji, me çka kemi rritur sigurinë e furnizimit me energji”, tha Koci.

Ai, më tej ka falënderuar GIZ dhe komunat për bashkëpunim dhe ka nënvizuar se në Kosovë janë duke u zhvilluar një sërë projektesh të kësaj fushe të financuara nga Komisioni Evropian, siç është zbatimi i masave të efiçiencës në 65 shkolla dhe dy objekte shëndetësore. Sipas tij, me këto projekte ndër të tjera po plotësohen edhe detyrimet që lidhen me afrimin e vendit me BE-në.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati e ka çmuar lart vlerën e këtij projekti, i cili u siguron qytetarëve ndriçim kualitativ duke kursyer energjisë dhe njëherësh shprehu interesimin për vazhdimin e projekteve të tilla.

Nga ana saj, përfaqësuesja e GIZ, Gabriele Becker ka falënderuar institucionet qendrore dhe lokale për bashkëpunimin e ngushtë në realizimin e projekteve të efiçiencës duke premtuar vazhdimin e ndihmës nga GIZ.