Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme mund të aplikojnë për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje
Prishtinë, 22.11.2023 – Është shpallur thirrja për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, i cili investim është mundësuar falë mbështetjes nga Bashkimi Evropian (BE) në kuadër të Pakos emergjente për energji.
Masat janë prezantuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Duke folur për shpalljen e masave të efiçiencës së energjisë, Kryeministri Albin Kurti theksoi se këtë vit për herë të parë është duke u investuar një shifër rekord prej 35 milionë eurove në programet e efiçiencës së energjisë për sektorin rezidencial dhe bizneset, që është shuma më e madhe ndonjëherë e investuar në Kosovë.
“Efiçienca e energjisë është një nga masat kosto-efektive që ne mundemi t’i ndërmarrim si shtet në këtë kohë, andaj edhe tani, po vazhdojmë t’i mbështesim bizneset kosovare që të investojnë në investime më të qëndrueshme dhe afatgjate”, theksoi Kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti shtoi se me investimin në pajisje efiçiente, bizneset do të kursejnë dukshëm në faturat e tyre të energjisë elektrike dhe kjo masë do të ndikojë në mënyrë direkte jo vetëm në buxhetin e tyre, por edhe në buxhetin e shtetit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se masa e subvencionimit për ndërmarrje, e cila do të jetë e hapur që nga sot përfshin subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, përpos që ulë konsumin e energjisë, rritë komforin gjatë sezonit dimërore e ulë faturat e energjisë për ndërmarrjet.
“Rëndësia e efiçencës së energjisë në ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme është kritike, veçanërisht kur kemi parasysh kontributin e këtyre ndërmarrjeve në ekonominë tonë. Andaj, rritja e efiçencës së energjisë në këtë sektor përtej kontributit drejt uljes së konsumit të energjisë e rritjes së sigurisë energjetike, luan rol strategjik drejt zhvillimit të mëtejmë ekonomik”, tha mes tjerash Rizvanolli.
Ministrja Rizvanolli, po ashtu shtoi se përfitimet e investimit në efiçencën e energjisë përkthehen drejtpërdrejt në kursime të kostos për bizneset, pasi studimet tregojnë që bizneset humbin rreth 30% të energjisë të cilën e konsumojnë, pra me investime në efiçiencë të energjisë, bizneset mund të ulin pothuajse një të tretën ë e kostove të tyre, e kështu të rrisin konkurrencën e qëndrueshmërinë.
Kurse, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari kërkoi nga bizneset që të aplikojnë në këtë thirrje, për ulje të kostos së shpenzimeve.
“Në kemi hartuar një strategji për mbështetje të bizneseve, e cila synon adresimin e çështjeve që janë në interes të këtij sektori. Ne shohim se sektori privat ka potencial të pashpalosur dhe synojmë të shndërrojmë industrinë prodhuese drejtë një industrie të gjelbër”, deklaroi ajo.
Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë theksoi se Bashkimi Evropian është duke financuar në sektorin e energjisë dhe kjo ndihmë do të vazhdojë edhe vitin tjetër me subvencionime të tjera në kuadër të Pakos mbështetëse për energji.
Bianciardi po ashtu shtoi se presin që këto masa të kenë sukses dhe të ndihmojnë Kosovën në tranzicionin energjetik.
Aplikimet për ndërmarrje janë të hapura për pajisjet efiçente për ngrohje:
Pompa termike subvencionohet me 20% të vlerës investive dhe deri në 2,000€,
Kondicioneri/ klima efiçiente subvencionohet me 20% të vlerës investive dhe deri në 1,000€,
Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) subvencionohet me 40% të vlerës investive dhe deri në 2,000€,
Stufa individuale me biomasë subvencionohet me 40% të vlerës investive dhe deri në 500€.
Ndërsa ndërmarrjet në pronësi apo bashkëpronësi të grave nga 51% e tutje, subvencionohen me 25% të vlerës investive.
Thirrja për fazën e parë do të jetë e hapur deri më 12 dhjetor 2023.
Aplikimi për subvencionim të masave të shpallura, bëhet online përmes platformës e-Kosova, në https://rks-gov.net/476
Informatat e plota mund t’i gjeni në uef-faqen e Ministrisë se Ekonomisë, në linkun: https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/11/Thirrja-per-Pajisje-ngrohese-eficiente.pdf