Ndahen 70 milionë € për dy projekte, Impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Podujevë dhe për përmirësimin e rrjetit të transmisionit VII

Prishtinë, 03.03.2025 – Është mbajtur takimi i XIV i Komisionit për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ku është marrë vendim për avancimin e Projektit Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë dhe Projektit për përmirësimin e  rrjetit të transmisionit VII.

Të pranishëm ishin kryeministri, Albin Kurti, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ministrja Artane Rizvanolli, Jeton Raka nga MMPHI dhe anëtarë të kabineteve qeveritare dhe zyrave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive të linjës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se projekti për Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Zeza në Podujevë parashihet t’u shërbejë rreth 50 mijë qytetarëve.

“Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë parashihet që t’ju shërbejë rreth 50 mijë qytetarëve të komunë së Podujevës me rrethinë, duke kontribuar në reduktimin e ndotjes, në ndërtimin e sistemeve për mbrojtjen nga përmbytjet si dhe një impiant pilot për trajtimin e ujërave të ndotura të fshatrave”, ka thënë ajo.

Ky projekt do të financohet me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), si dhe do të zbatohet nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” me përkrahjen e Berzhit. Kostoja e projektit është mbi 34 milionë euro.

Ministrja Rizvanolli prezantoi edhe projektin për përmirësimin e rrjetit të transmisionit VII, që do të ndikojë në furnizim më të sigurt me energji elektrike, sidomos gjatë muajve me ngarkesë të lartë.

Kostoja totale e këtij projekti është mbi 38 milionë euro.