MZHE: Suksesi kryesor i vitit – interkoneksioni 400 kV Kosovë – Shqipëri

Prishtinë, 24.12.2013  – (Fjalimi i plotë i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli në konferencën e fundvitit)

Një ndër sukseset kryesore është projekti i cili është stërzgjatur mjaftë,e i cili është projekti për linjën e interkoneksionit 400 kV Kosovë – Shqipëri, në të cilën kam marrë pjesë që nga fillimi i këtij projekti. Kjo është arritur në bashkëpunim me shumë miq ndërkombëtarë, sidomos me Republikën Federale të Gjermanisë, konkretisht të KFW-së si dhe ekspertë të shumtë të energjisë. Brenda 24 muajve presim përmbylljen dhe futjen në funksion të kësaj marrëveshje e cila i ulë iluzionet e shumë kundërshtarëve. Gjithashtu vlerësojmë edhe rolin e mediave me pjesëmarrjen e tyre në këtë proces pa marrë parasysh edhe kritikat.

STRATEGJIA E ENERGJISË 2013-2022

Këto ditë është bërë diskutimi publik për Strategjinë e energjisë për dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Janë bërë debate publike edhe me OJQ-të, komunikimi me të gjitha palët e interesit, donatorët, institucionet financiare ndërkombëtare  si dhe komente tjera. Drafti final i kësaj strategjie është për shkarkim edhe në uebfaqen e MZHE-së. Ky është një version më ndryshe i draftimit të strategjisë, një version i cili është i ndërtuar mbi definicionin e vërtetë se çka do të thotë strategji dhe mbi parimet e vërteta ekonomike dhe të tregut se si duhet të ndërtohet një strategji e energjisë, e cila nuk përcakton korniza të cilat më vonë mund të paraqiten si pengesë e implementimit. Por, pjesa e implementimit është ndaras nga strategjia e përgjithshme. Strategjia e energjisë këtë vit do të vijë edhe për 10 vjetët e ardhshme me një prioritet në implementimin e efiçiencës së energjisë si një burim i kursimit dhe optimizimit, si një element shumë i rëndësishëm në ngritjen  e standardit të jetesës së popullatës dhe qytetarëve të Kosovës, me një kualitet edhe më të lartë.

EFIÇIENCA E ENERGJISË DHE BURIMET E RIPËRTËRITSHME

Mbi të gjitha i është dhënë prioritet edhe për arsye se me zbatimin e masave për efiçiencë të energjisë nuk do të ndikohet rritja e tarifave, sepse siç e dimë, te burimet e ripërtëritshme, sidomos burimet alternative, siç janë dielli, era, biomasa etj., ndikohet drejtpërdrejt në tarifa më të larta meqenëse energjia e cila vjen nga këto burime padyshim se është energji që kushton më shtrenjtë dhe atë 4 deri 5 herë. Marrim shembullin vetëm të tarifave stimuluese për erën të aprovuara nga Rregullatori i Energjisë Elektrike që janë 8.5 centë për kilovatë që në krahasim me tarifat prej burimeve konvencionale, në rastin tonë nga linjiti, janë më shumë se 3 herë më të ulëta. Sidoqoftë, ai është çmimi që jo vetëm ne, por mbarë bota duhet ta paguaj për hir të ruajtjes së ambientit, për hirë të një mjedisi më të shëndosh për neve dhe gjeneratat e ardhshme dhe në këtë segment Kosova nuk dallon aspak në tentativat dhe aktivitetet që i bën në drejtim të avancimit dhe ruajtjes mjedisore. Ju do të shihni se neve veç kemi aprovuar planin e zbatimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe tash për tash jemi në hap me obligimet që i kemi marrë në këtë drejtim dhe mund t’i shkarkoni edhe nga uebfaqja e ministrisë sonë, cilat janë ato obligime dhe si jemi duke i përcjellë në mënyrë që të përmbushim këtë obligim edhe në bazë të direktivave që dalin për ambientin nga Komisioni Evropian. 

Gjithashtu është  aprovuar edhe plani për zbatimin e efiçiencës deri në vitin 2020 ku gjithashtu tash për tash jemi në hap të përmbushjes së këtij obligimi dhe siç e thash më herët është një prej prioriteteve. Neve kemi aprovuar 16 milionë euro kredi të butë nga Banka Botërore për implementimin e masave të efiçiencës në ndërtesat qeveritare deri në qeveritë lokale nëpër komuna. Tendenca është që vitin e ardhshëm të vazhdojmë me studime gjithëpërfshirëse për vazhdimin e implementimit të efiçiencës deri te banimi privat, ose deri te shtëpitë dhe banesat e qytetarëve që do të përfshijë përmbylljen e një cikli të tërë të masave që duhet të merren dhe do t’i propozohet Qeverisë dhe Kuvendit, deri te rishikimi i politikave fiskale sa u përket burimeve të ripërtëritshme dhe materialeve dhe produkteve me eficiencë të energjisë. Këtë studim, sipas të gjitha gjasave, kjo është informatë e re që po e jap, do të bëhet edhe me mbështetjen e Qeverisë së Britanisë së Madhe.

TERMOCENTRALI “KOSOVA E RE”

Projekti tjetër më madhor që është ndërtimi TC “Kosova e Re”, i cili në pjesën e parë të vitit ishte në rrezik edhe me dështu e që ishte produkt i rrethanave të krijuara në Kosovë por edhe jashtë saj, si kriza financiare, kërkonte një reagim të shpejtë. Mund të ju them se gjatë dhjetorit definitivisht investitorët me shkrim kanë kthyer shprehjen e interesin për të vazhduar garën në këtë projekt mbi bazën e një strukture të re të projektit, e cila në rend të parë respekton interesat e Kosovës dhe në anën tjetër i përmbush aspiratat dhe mundësitë e investitorëve për të ecë përpara me këtë projekt.

Ajo që është më e rëndësishme është që paketa e TC “Kosova e Re” definitivisht përmban në vete vetëm ndërtimin e TC,  nuk është aty as TC “Kosova B” as ndonjë element tjetër, nuk është as Mihja që ishte elementi kryesor dhe me këtë besoj jemi pajtuar edhe me shoqërinë civile se nxjerrja e Mihjes nga paketa është një kualitet i ri për ne,  një mundësi e zhvillimit të mëtutjeshëm edhe të konkurrencës në segmentin e gjeneratorëve të mundshëm që do të vijnë dhe atyre ekzistues.
Ana tjetër me rëndësi është se do të ecim në dy faza të ndërtimit të TC të ri. Esenca qëndron se Qeveria e Kosovës me ekspertë të lëmit, vendor dhe ndërkombëtar nuk do të merret vetëm me shpalljen e fituesit por do të merret edhe me zgjedhjen e teknologjisë që do të përdoret në këtë projekt.

Është me rëndësi që pas shpalljes së fituesit që do të bëhet mbi bazën e normës interne të kthimit dhe të shpenzimeve të mirëmbajtjes dhe operimit dhe vlerës së kapitalit të ndërtimit të TC, në pjesën tjetër kur do të zgjidhet teknologjia që do të përdoret pjesëmarrja e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë në emër të Qeverisë së Kosovës është një garancë më shumë se do të zgjidhet teknologji e cila është e ndërtuar mbi bazat e efiçiencës më të lartë në nivelin evropian konform (Direktivës së BE-së për Emetimet e Gazrave Industriale) në mënyrë që vitet që vijnë të sigurohemi se jemi komplementar me politikat dhe legjislacionin për mbrojtjen e ambientit.

Kjo nuk do të jetë pengesë për ecjen e Kosovës në integrimet evropiane, për çka kërkohen kritere të forta të mbrojtjes së mjedisit, ndërsa është shkuar një hap më tutje, që pranë gjeneratorëve të rinj, Qeveria do të sigurojë një hapësirë të mjaftueshme bazuar në kohëzgjatjen e një TC-je, në mënyrë që në kohën kur të jetë ekonomikisht e arsyeshme, teknologjia për tërheqjen edhe deponimin e CO2 të instalohet nga investitori si obligim.
Element tjetër për të cilin do të kujdesemi me rastin e zgjedhjes së ofertuesit është edhe çmimi, ngase çmimi ndërtues pa dyshim se do të ndikojë në tarifat fundore, respektivisht në çmimin e energjisë elektrike.

Projeksionet janë si në vijim: Ne presim që në fund të marsit, respektivisht fillimi i prillit të bëhet ftesa për ofertë te këta tre investitorë për ofertë dhe tanimë janë bërë të gjitha përgatitjet nga Njësia Implementuese dhe mund të ndodhë që të kemi edhe ndonjë Këshilltar Strategjik nga institucionet Financiare Ndërkombëtare që kanë shpreh gatishmërinë dhe në bazë të një diagrami kohorë që është aprovuar bashkë me Këshilltarin e Transaksionit, ne presim që ofertat të arrijnë në fund të qershorit apo në fillim të korrikut 2014. Nëse këtë e arrij unë do të jem shumë i lumtur se me ndërtimin e TC “Kosova e Re” sigurohet një bazë për zhvillim jo vetëm të sektorit të energjisë, por edhe të tërheqjes së investimeve të huaja direkte dhe do të kemi një stabilitet të qëndrueshëm të furnizimit me energji.

TREGU I PËRBASHKËT ENERGJETIK KOSOVË- SHQIPËRI

Pas projekteve të ndërtimit të kapaciteteve gjeneruese ne do të ecim më tutje me ndërtimin e tregut të përbashkët Kosovë –Shqipëri, marrëveshjet preliminare kanë filluar, disponimi ekziston në të dyja anët dhe unë besoj që në mbledhjet e përbashkëta që janë planifikuar mes të dy qeverive, në tavolinën e tyre, respektivisht kryeministrave në janar ose shkurt do të jetë edhe marrëveshja për fillimin e këtij projekti madhor për ndërtimin e tregut të përbashkët energjetik Kosovë- Shqipëri.

MARRËVESHJA PËR ENERGJINË KOSOVË – SERBI

Marrëveshja për energjinë me Republikën e Serbisë është arritur. Pikat kryesore që e definojnë këtë marrëveshje që kanë qenë pikë-pengese edhe për zhvillimin e sektorit të energjisë, kanë qenë pikë-pengese edhe për investimet në këtë sektor të energjisë tek ne, sepse derisa nuk është zgjidhur çështja e funksionimit të pavarur dhe normal të një sistemi elektro-energjetik sidomos në nivelin e transmetimit, sigurisht se ka pasur hezitime edhe prej investitorëve të tjerë, sepse gjeneratorët e rinj varen shumë nga funksionimi i paanshëm i një sistemi transmetues, prej zbatimit të parimeve të “Aqui Communitaire” në energji që kanë të bëjnë me transparencën, me jodiskriminimin dhe me qasjen e barabartë të secilës palë në atë sistem. Kjo me atë marrëveshje do të arrihet. Plani i implementimit të marrëveshjes është në diskutim.

Por çka është me rëndësi, ju e dini se edhe prej pozitës së mëhershme në KOSTT në vitin 2008 është bërë ankesa në Komunitetin e Energjisë ndaj moszbatimit të obligimeve të marra nga ana e Serbisë për Traktatin e Komunitetit të Energjisë dhe po ky komunitet i ka dhënë të drejtë palës së Kosovës dhe ka konstatuar se Serbia nuk ka respektuar parimet elementare të këtij traktati në raport me Kosovën dhe tani ato segmente që kanë qenë në atë ankesë, gjithashtu po kodifikohen me këtë marrëveshja. Kosova më ketë marrëveshje do të jetë sistem elektro-energjetik plotësisht i pavarur. Kosova do t’i kontrollojë në tërësi jo vetëm në aspektin fizik dhe teknik, kapacitetet e transmetimit dhe të bartjes së energjisë elektrike, por edhe në aspektin ekonomik dhe komercial që nënkupton se do të kemi benefite nga tranzitet të cilat kalojnë në Kosovë, do të kemi benefite nga fondet multilaterale që kanë të bëjnë me koncension ose ngulfatje në linjat transmetuese, ku gjithashtu merren ose ndahen mjete prej të gjithë pjesëmarrësve në tregun regjional për avansimin e kësaj.

Këto mjete që do të merren normalisht që do të zbusin dhe të kenë efekt edhe në tarifat e energjisë elektrike. Sidomos të hyrat nga tranziti shkojnë ose i kthehen drejtpërdrejt konsumatorit. Segment tjetër është se me këtë marrëveshje definitivisht njihen kufijtë energjetik të Kosovës me çka pajtohet edhe pala serbe dhe kjo parandalon intereferimin e mëtejmë jo vetëm në linjat e tensionit të lartë 400 ose 220 KV për tranzit të energjisë, por gjithashtu operatori serb nuk do të mundet më tutje të interferojë në  pjesën e sistemit elektro energjetik në Mitrovicën e Veriut. Dhe tani Vallaçi që është nënstacioni më i madh atje 110 voltësh që është pronë e KOSTT-it do të jetë plotësisht nën kompetencat e operatorit tonë dhe janë marrë obligimet që operatorët e këtij nënstacioni do t’i respektojnë në tërësi instruksionet që i marrin nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Republikës së Kosovës dhe të njëjtat do t’i respektojnë edhe operatorët e Hidrocentralit të Ujmanit. Edhe Ujmani do të dispeçohet po nga kjo Qendër Nacionale Dispeçerike dhe me këtë bëhet definitivisht përmbyllja e funksionimit të sistemit elektro-energjetik nën rregullat e përcaktuara nga KOSTT-i.

Gjithashtu është trajtuar edhe pjesa e shpërndarjes ose distribucionit. Në Kosovë tani është një realitet i ri. Distribucioni është privatizuar. Pronar i asteve të distribucionit tani është kompania e re dhe ajo kompani sa i përket mirëmbajtjes së këtij sistemi në atë pjesë mund të hyjë në raporte komerciale me çfarëdo kompanie në katër komunat serbe për mirëmbajtje dhe për intervenime emergjente nëse ka nevojë. Por, krijimi i një furnizuesi të ri atje nuk nënkupton që tani u mor shpërndarja prej dikuj tjetër, sepse normalisht që ajo kompani që e ka bërë privatizimin nuk është e gatshme t’ia falë asetet askujt dhe prandaj edhe në bisedime në ditët e fundit kur janë përcaktuar këto elemente, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e KEDS-it. Dhe me këtë po e përmbylli këtë segmentin e energjisë.

Tash çka na mbetet? Na mbetet që meqenëse Kosova është nënshkruese e Paketës së Tretë për Energjinë, prej të cilës dalin obligime të caktuara, ne veç i kemi hyrë punës për rishikimin e tri ligjeve bazike që e rregullojnë këtë punë. Ai është Ligji për Rregullatorin e Energjisë, Ligji i energjisë dhe Ligji i energjisë elektrike, i cili do të reflektojë dhe do të bëjë transfuzimin e këtyre obligimeve dhe gjatë vitit 2014, diku deri në mesin e vitit 2014, propozim-ligjet do të jenë për aprovim në Kuvendin e Kosovës dhe me këtë përmbushet edhe një obligim i cili është para nesh e që ka gjithashtu për qëllim që ne të ecim në hap sepse është obligim edhe me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në rrugën e Kosovës drejt Evropës.

NDËRMARRJET PUBLIKE

Një segment i rëndësishëm për neve jo vetëm si ministri, por edhe si qeveri është edhe funksionimi i ndërmarrjeve publike, që përkundër asaj se këtë vit në bazë të raportit i cili ka qenë edhe në Qeveri edhe në Kuvend ka përmirësim të dukshëm të performancës sidomos në disa prej ndërmarrjeve publike, unë personalisht dhe besoj se edhe një pjesë e kolegëve të mi, nuk jemi ende të kënaqur plotësisht me atë se çka mund të bëhet me këtë segment. Kjo domethënë se ne duhet të vazhdojmë sidomos vitin e ardhshëm me masa të reja në drejtim të përmirësimit të kësaj performance, duke filluar me përzgjedhjen e bordeve të reja profesionale, deri te implementimi i metodave të menaxhimit më efikas dhe qeverisjes më efikase në këto ndërmarrje.

Normalisht gjatë vitit 2013 ka vazhduar edhe në këtë segment reforma dhe ristrukturimi i disa prej ndërmarrjeve publike, sidomos në rastin e KEK-ut si ndërmarrje vertikalisht e integruar, përveç  fillimit të shthurjes që ka ndodhë në vitin 2006, në ndërkohë është bërë edhe privatizimi i shpërndarjes dhe furnizimit dhe është ndarë gjenerimi me mihjet. Për hirë edhe të vazhdimit të reformës sigurisht që mund të ndodhë se gjatë vitit 2014 dhe në vazhdim të vazhdojë edhe me shthurjen horizontale, që nënkupton ndarjen e gjenerimit nga mihjet në mënyrë që mihjet të mbesin ndërmarrje publike të cilat do të furnizojnë në mënyrë të barabartë të gjithë gjeneratorët që ndodhën në Kosovë, si ata ekzistues edhe ata të ardhshmit.

PRIVATIZIMI I 75% TË AKSIONEVE TË PTK-së

Privatizimi i 75% të Aksioneve të PTK-së është një projekt të cilin unë e kam gjetur para përfundimit dhe nuk kam pritur se do të zgjasë kaq shumë, por kjo nuk është që po ndodh vetëm në Kosovë, nëse kihet parasysh përvoja e privatizimit të telekomit në shtetet në rajon e më gjerë do të shihni se të gjitha janë të përcjella me vështirësi, me probleme deri edhe me dështim, siç është rasti i Sllovenisë dhe Kroacisë.

Pavarësisht zvarritjes të gjithë duhet t’i nënshtrohemi vullnetit të sovranit, e ne këtë moment sovrani këtë vullnet të vetin ja ka besuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe pa dyshim se ata do të vendosin, pavarësisht asaj që unë mendoj ndryshe. E kam thënë dhe e them prapë se privatizimi i suksesshëm i PTK-së, por i të gjitha ndërmarrjeve që mund të jenë me interes veçse është një sinjal më i mirë për botën e biznesit ngado qoftë se Kosova është një ambient i mirë për investime dhe që ne si Qeveri sa më parë që të lirohemi nga marrja me biznes nga qeverisja me ekonomi aq më shumë do të kemi kohë të merremi me interesat vitale të qytetarëve siç janë arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe përmirësimin e ambientit për investime.

Kjo nuk nënkupton se proceset e ristrukturimit dhe privatizimit të ekonomive që janë në pronësi shtetërore duhet të ecet pa mëndu dhe pa planifikuar me kujdesin më të madh dhe transparencë të plotë dhe sigurimin e konkurrencës së barabartë.

STATUSI I TREPÇËS

Në aspektin e ndërmarrjeve Publike neve veç kemi paraparë ndryshime në legjislacion, ku hyn amandamentimi apo ligji i ri për Ndërmarrjet Publike, varësisht prej nevojave dhe me këtë rast po e përmend edhe rastin e Trepçës që është një prej angazhimeve shumë të rëndësishme që kemi filluar në gjysmën e dytë të këtij viti. Ne kemi pasur një prezantim publik se çfarë mendon MZHE të ndërmarrë për rregullimin e statusit të Trepçës, i cili tash e 15 vjet është në një Status Quo dhe nuk i është mundësuar të tregojë vetveten dhe t’i jap hov zhvillimit ekonomik të vendit. E them këtë pa dilema ngase Trepça është një ndër segmentet më të rëndësishme që mund të përfshijë shumë elemente të zhvillimit ekonomik, tërheqje të investimeve të huaja jo vetëm në këtë kompani por edhe të veprimtarive që mund të zhvillohen rreth saj.

Ministria jonë e ka përfunduar propozimin për fillimin e ndërrimin e statusit të Trepçës me amandamentimin e ligjit për NP-të, i cili nënkupton përfshirjen e Trepçës në grupin e ndërmarrjeve publike dhe ky propozim është në tavolinën e Qeverisë dhe më së largu në shkurt do të procedohet për miratim në Kuvend për aprovim. Pres që ligji që rregullon statusin e Trepçës ia heq “lakun” e zhvillimit nuk do të hasë në pengesa për miratim në Kuvend ngase është në interes të të gjithëve zgjidhja e saj, dhe kjo kërkesë është si nga pozita ashtu edhe nga opozita. Kjo nënkupton që në Trepçë të ndodh një ristrukturim në ndarjen e aseteve thelbësore dhe ato jo thelbësore dhe AKP do të vazhdojë t’i trajtojë asetet jothelbësore në mënyrën si ka vepru me tjerat për çka është e specializuar dhe pjesa tjetër thelbësore do të trajtohet si NP me bord profesional me investime kapitale edhe nga Qeveria  dhe më tutje me format si PPP dhe futjen e kapitalit të ri deri te pozicionimi i Trepçës aty ku ka qenë në Berëzat ndërkombëtare të metaleve si ajo e Londrës, Berlinit apo Nju Jorkut.

Me çështjen e kreditorëve që po quhen që ka qenë si një çështje që është vlerësuar se ka ndikuar që kjo kompani nuk po mundet të merr zhvillimin e duhur me atë do të merret Qeveria dhe të gjitha borxhet që verifikohen nga Arbitrazhi do të kryhen por kjo nuk duhet të ngulfas edhe më tutje zhvillimin e Trepçës. Kjo çfarë është bërë për këtë ndërmarrje  mund të quhet sukses i vitit 2013 që do të përmbyllet në vitin e ardhshëm.

TEKNOLOGJIA INFORMATIVE

MZHE mbulon edhe telekomunikacionin dhe teknologjinë informative ku ka filluar një projekt mjaft i mirë ai Sistemi i Integruar Informativ për Zhvillim Ekonomik që do të na mundësojë që nga të gjitha resorët si Ministritë, Doganat, ATK, të mblidhen dhe të centralizohen të dhënat ekonomike mbi bazën e të cilave ne mund të bëjmë projeksion më të qartë të zhvillimit ekonomik dhe sidomos projeksion më të qartë të qëndrueshmërisë financiare të Kosovës dhe hyrjes së investimeve të reja dhe ndikimit të tyre. Me fjalë tjera do të jenë të dhëna të mjaftueshme të cilat mundësojnë ndërtimin e një modeli ekonomik afatgjatë që merr parasysh elementet e borxhit publik, cili do të jetë rrjedha e parasë në periudhë afatgjate si element shumë i rëndësishëm për investitorët e interesuar.

Një segment që në vitin e ardhshëm mendojmë t’i japim më shumë rëndësi më të madhe është promovimi më intensiv të të teknologjisë informative, edukimi sa më i madh i të rinjve në këtë sektorë në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare, ngase Kosova me pak investim mund të shndërrohet në eksportues i produkteve softwerike, bazuar në këtë kapital që kemi, moshën e re me një përgatitje shkollore që me specializime profilizuese dhe për këtë ka disa nisma, të cilat mund të ngrihen në nivel më të lartë.