MZHE organizoi punëtori për e-Payment and e-Envoicing
Prishtinë, 28.02.2014 – Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me asistencën teknike të TAIEX të Komisionit Evropian me 27 dhe 28 shkurt kanë organizuar në Prishtinë punëtorinë dy ditore me temën: Pagesat elektronike dhe Faturat elektronike (e-Payment and e-Envoicing), ku morën pjesë mbi 40 përfaqësues të nivelit menaxherial dhe profesional të institucioneve të ndryshme vendore dhe ekspertët e TAIEX-it nga Franca, Portugalia dhe Estonia.
Në sesionin e ditës së parë, kanë prezantuar përfaqësuesit vendor të institucioneve shtetërore. Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka prezantuar bazën ligjore ekzistuese për tregtinë elektronike (e-Commerce), pagesat elektronike (e-Payment), faturat elektronike (e-Invoicing) dhe nënshkrimin elektronik (e-Signature).
Më pas, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka prezantuar gjendjen aktuale të shërbimeve elektronike që ofrohen nga ky institucion (sistemin EDI), Agjencia për Regjistrim Civil (ARC) ka prezantuar për temën e ID kartave elektronike (e-ID), që tanimë janë duke u lëshuar, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka prezantuar për Faturat elektronike dhe Pagesat elektronike në sistemin bankar të Kosovë, ndërsa nga Asociacioni i Bankave të Kosovës është prezantuar rëndësinë e Pagesave elektronike dhe Faturave elektronike në zhvillimin e industrisë bankare në Kosovë.
Në sesionet në vazhdim të ditës së parë dhe sesionet e ditës së dytë kanë prezantuar ekspertët e TAIEX-it me temat përkatëse.
Eksperti nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave të Francës, Lucien Gimenez ka prezantuar dhe shtjelluar kornizën ligjore, respektivisht direktivat e Bashkimit Evropian që kanë të bëjnë me e-Faturat dhe e-Pagesat, si dhe për efektet biznesore si rezultat i përdorimit të Pagesave elektronike dhe Faturave elektronike.
Ndërkaq, ekspertja nga Autoriteti Tatimor dhe Doganor të Portugalisë, Elza Sequeira ka prezantuar sistemin e implementuar në Autoritetin Tatimor dhe Doganor të Portugalisë “e-fatura”, si dhe për rolin e administratës shtetërore në procesin e adoptimit të Pagesave elektronike dhe Faturave elektronike.
Më tej, ekspertët nga Ministria për Çështje Ekonomike të Estonisë, Liivi Karpištšenko dhe Janek Rozov kanë prezantuar implementimin e Pagesave elektronike dhe Faturave elektronike në Administratën Tatimore të Estonisë dhe për tatimin në vlerën e shtuar në tregtinë elektronike e-Commerce.
Duhet theksuar se edhe sesionet e diskutimeve kanë qenë mjaft të frytshme për të këmbyer idetë, përvojat, mundësitë dhe rekomandimet për situatat e gjendjes ekzistuese të kësaj fushe në Kosovë.
Punëtoria ka zgjuar interesim të madh tek institucionet shtetërore, sektori bankar dhe sektori privat i fushës së teknologjisë informative. Kanë marrë pjesë mbi 40 përfaqësues të institucioneve si: Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Financave, Administrata Tatimore e Kosovës, Doganat e Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës, Asociacioni i Bankave të Kosovës, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, Agjencia për Regjistrim Civil, Shoqata e Teknologjisë Informative dhe Komunikuese e Kosovës – STIKK, ekspertë të pavarur të ekonomisë dhe teknologjisë informative.

