MZHE mbështet iniciativat e grave në biznes
Prishtinë, 01 dhjetor 2011 – Në kuadër të 16 – ditëshit kundër dhunës ndaj gruas, një delegacion nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), përkatësisht Njësia për të Drejtat e Njeriut, ka vizituar shoqatën e grave “Bliri” në Drenas si dhe Fabrikën e tekstilit UNIKAT në Pejë.
Qëllimi i vizitiës ishte njohja më për së afërmi me punën që bëjnë gratë në biznese të vogla dhe të mesme, me ç’rast konstatua se gratë punojnë edhe punë të cilat konsiderohen të rënda, siç ishte rasti i Shoqatës “Bliri” në Drenas, ku fushëveprimtaria e saj ishte zdrukthtaria.
Megjithëse, aktiviteti i tyre kishte kohë që kishte pushuar në mungesë të donacioneve, ato ishin të gatshme që sërish të punojnë në prodhim, ku nga ana e ministrisë iu ofrua përkrahje institucionale.
Delegacioni nga MZHE-ja, vizitoi edhe fabrikën e tekstilit UNIKAT në Pejë, që kishte të punësuara rreth 90 % gra, të cilat bënin një punë të jashtëzakonshme.
Zyrtaret e MZHE-së kanë premtuar se ministria do të vazhdojë të krijojë politika edhe më të përshtatshme në favor të zhvillimit të biznesit vendor.

