MZHE do të shqyrtojë seriozisht kërkesat e punëtorëve të PTK-së

Prishtinë, 7 prill 2011 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj u premtoi përfaqësuesve të Sindikatës Profesionale të Punëtorëve të PTK-së se ai dhe Komiteti Ndërministror për Privatizimin e PTK-së do t’i shqyrtojnë shumë seriozisht kërkesat e tyre dhe se do të angazhohen maksimalisht që gjatë procesit të privatizimit të mbrohen të drejtat e punëtorëve të PTK-së.

Gjatë takimit me sindikalistët e PTK-së, të udhëhequr nga Gazmend Isufi kryetar i SPP-së të PTK-së, ministri Beqaj ka thënë se procesi i privatizimit do të vazhdojë dhe se do të ketë transparencë të plotë dhe respektim të ligjshmërisë në proces.

Ai ka theksuar se punëtorët e PTK-së do ti realizojnë të gjitha të drejtat të cilat u takojnë me Ligjin e Punës dhe ligjet tjera në fuqi në vend.

Ministri Beqaj ka theksuar se privatizimi i PTK-së do të ketë ndikim pozitiv edhe në punësim pasi që mjetet nga ky proces do të investohen në projekte kapitale të cilat punësojnë numër të konsiderueshëm të tëpa punëve.

Nga ana tyre, sindikalistët PTK-së kanë kërkuar nga ministri Beqaj dhe Komiteti Ndërministror për Privatizimin e PTK-së që me rastin e privatizimit të kësaj ndërmarrje të kenë parasysh kërkesat e punëtorëve siç janë: punëtorëve t’u sigurohen kontrata 5 vjeçare, të ruhet paga aktuale, ndarja e aksioneve të caktuara për punëtorët, të respektohet stazhi 10-vjeçar i punës për vitet e 90-ta, të lejohet pensionimi i parakohshëm vullnetar, pjesëmarrja e SPP-së në Komitetin për privatizimin e PTK-së etj.