Ministrja Rizvanolli viziton “Plus Marketin” në 24 vjetorin e themelimit, vlerëson promovimin e prodhimeve vendore

Prishtinë, 16.12.2024- Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë pjesëmarrjes në ngjarjen “Javët e Biznesit Kosovar”, ka vizituar “Plus Marketin” në 24 vjetorin e themelimit. Ajo tha se Plus Market Group është një histori e jashtëzakonshme suksesi dhe një shembull i biznesit vendor të përgjegjshëm e ndërgjegjshëm për zhvillimin ekonomik te shtetit.

Aty ministrja Rizvanolli theksoi se përgjatë tri viteve, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje mesatare të BPV-së prej 6.2% —më e larta në rajon. Për më shumë se 4 vjet, Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 50%, duke arritur vlerën 9.6 miliardë euro, nga 6.7 miliardë euro sa ishte para mandatit qeverisës..

Eliminimi i  barrierave të të bërit biznes, sipas ministres Rizvanolli është poashtu një sukses në përparimin e zhvillimit të biznesit vendor.

“Nëse kthehemi prapa 5-10 vite, dhe shohim rezultatet e anketave me biznese vendore, barrierat kryesore në të bërit biznes kanë qenë të lidhura me: konkurrencën jo-fer si pasojë e informalitetit e korrupsionit, qasjen në financa, qasjen në tregje ndërkombëtare e mungesën shkathtësive të punonjësve. Sot përderisa flas para jush, jam e lumtur qe kemi bërë ndryshime rrënjësore në të parën, e përparim të ndjeshëm në të gjitha të tjerat.  Me eliminimin e korrupsionit në nivel të lartë, e luftimin e sinqertë të korrupsionit në nivele më të ulëta, nga njëra anë, e me luftimin efektiv te informalitetit, nga ana tjetër, kemi hapur rrugë për konkurrencë më të drejtë e për investime të reja – vendore e nga diaspora”, tha ministrja.

Vlerësim ministrja dha edhe për fushatat ‘Duaje Tënden’, ‘Bojkoto produktet e Serbisë’, ‘Blej Shqip’, e ‘Made in Kosova’. Ministrja Rizvanolli tha se këto fushata kanë kontribuuar drejtpërsëdrejti në forcimin e vetëdijes së ndërlidhjes së identiteti kombëtar me forcimin e zhvillimit vendor ekonomik.

Veçanërisht ajo përmendi fushatën “Duaje Tënden që është nisur nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2011, e që sipas saj është një sinonim i një politike patriotike dhe zanafilla e një procesi të vetëdijesimit të qytetarëve të  Kosovës për këto çështje, që ka pasur sukses të prekshëm në shifra. Ministrja Rizvanolli tha se kjo fushatë ka ndikuar që të kenë rënie eksportet nga Serbia dhe të rritet shkëmbimi tregtar me Shqipërinë.

Në këtë ngjarje ministrja Rizvanolli ishte e shoqëruar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramdani. Ajo pati takime me bizneset vendore pjesëmarrëse në panairin e mbajtur në hapësirat e Plus Market Group, si dhe takime me gratë që shisnin produkte artizanale e shumë prodhues vendor e qytetarë. Gjithashtu, ministrja takoi edhe aktorin e regjisorin Enver Petrovci e pianisten e profesoreshën Valbona Pula Petrovci .