Ministrja Rizvanolli viziton dy biznese në Gjakovë përfitues të subvencioneve për panele solare

Gjakovë, 01.08.2025 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me Alessandro Bianciardin, Zëvendësdrejtor i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, kanë vizituar dy biznese në Gjakovë që kanë përfituar subvencione për instalimin e paneleve solare.

Këto subvencione janë siguruar nga Ministria e Ekonomisë përmes një granti të Bashkimit Evropian, me qëllim promovimin e konsumit vetanak të energjisë së ripërtëritshme.

Ministrja Rizvanolli pa për së afërmi investimet në Qumështoren Ada dhe kompaninë “Toni Plast”, ku u informua se faturat e energjisë elektrike janë ulur pothuajse përgjysëm pas instalimit të paneleve solare.

Pronari i Qumështores Ada, Bekim Mirashi, bëri me dije se biznesi i tij ka përfituar një subvencion prej 6,000 eurosh po aq sa ka fituar dhe kompania “Toni Plast”, me pronar Bajram Hoti.

Ministrja Rizvanolli falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen në tejkalimin e krizës energjetike, si dhe kompanitë prodhuese të cilat po investojnë në efiçiencë të energjisë, duke vlerësuar këto investime të cilat sjellin efekte afatgjata për vetë bizneset dhe ekonominë e vendit.