Ministrja Rizvanolli vizitoi Shkollën “Mazllum Këpuska”, ku janë investuar 308.7 mijë euro në efiçiencë të energjisë

Gjakovë, 25.11.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka vizituar Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Mazllum Këpuska”, e cila është renovuar në efiçiencë të energjisë, investim në vlerë prej 308.7 mijë euro dhe i gjithë renovimi në shkollë është bërë pa humbur asnjë orë mësimi.

Shkolla “Mazllum Këpuska” është shkolla e tretë në Gjakovë, ku janë kryer investime për të përmirësuar kushtet për nxënësit dhe mësimdhënës, në rinovim në efiçiencën e energjisë, në të cilën shkollë më parë sistemi i ngrohjes nuk funksiononte gjatë temperaturave të ulëta, duke mos ngrohur klasat dhe duke i bërë ambientet e padurueshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Ministrja Rizvanolli ka thënë se vizita në këtë shkollë ishte emocion i veçantë sepse për këtë shkollë ka dëgjuar gjithmonë nga prindërit dhe familjarët që kanë vijuar mësimin aty.

Ajo ka falënderuar drejtorin e shkollës, Arbnor Pozhegu, mësimdhënësit e këshillin të nxënësve për mikpritjen e ngrohtë që u bënë së bashku me përfaqësuesit e FKEE-së dhe Drejtorinë Komunale për Arsim.

Shkolla tashmë vazhdon mësimin me termoizolim e dyer e dritare të reja, ndriçim efiçient e sistem të renovuar të ngrohjes qendrore, falë masave të implementuara nga Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё dhe financuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Bashkimi Evropian, Banka Botërore, në kuadër të skemës kthyese për komunat.