Ministrja Rizvanolli vizitoi KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren

Prishtinë, 22.03.2022 – Me rastin e Ditës Botërore të Ujërave ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka vizituar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Sh.A. në Prizren, me ç’ rast ka takuar Kryeshefin Ekzekutiv të kësaj ndërmarrje, Zenel Zenelaj si dhe menaxherët e departamenteve përkatëse.

 

Ministrja Rizvanolli dhe përfaqësuesit e kompanisë “Hidroregjoni Jugor” kanë diskutuar lidhur me ndërtimin e akumulimeve të reja për të siguruar ujë të pijes dhe për ujitje, pra zgjerimin e ujitjes, ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rritjen e qasjes në rrjetin publik të kompanive rajonale të ujësjellësve.

 

Duke ditur se furnizimi me ujë të pijes është jetik për mirëqenien e qytetarëve ministrja Rizvanolli u shpreh se Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht ministria që ajo drejton do të vazhdoj të mbështesë kompanitë rajonale të ujërave duke i siguruar për mbrojtje dhe menaxhim të mirë të burimeve ujore me çka do të sigurohet ujë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

 

Ministrja Rizvanolli gjithashtu ka vizituar edhe impiantin e ujërave të zeza si dhe galerinë nëntokësore të ujit ku ka parë nga afër projektet që janë realizuar gjatë vitit 2021 e të cilat e kapin shumën afër 19.5 milionë euro, projekte këto të financuara nga KFW –ja , Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prizrenit.