Ministrja Rizvanolli ua prezanton punën në Strategji të Energjisë Deputetëve të Kuvendit të Kosovës

 

Prishtinë, 15.12.2021 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me përfaqësues të Kabinetit të saj, Departamentit të Energjisë të ME-së, si dhe ekspertë të angazhuar në hartimin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031 përfshirë këtu ekspertin Dr. Laszlo Sabos, kanë pritur në takim deputetët e Kuvendit të Kosovës.

 

Gjatë takimit, Ministrja Rizvanolli së bashku me ekipin e saj u kanë prezantuar Deputetëve të pranishëm vizionin i cili udhëheqë Strategjinë, punën që është bërë deri më tani si dhe punën që është deri më tani.

 

Në këtë takim kanë qenë të ftuar anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, anëtarët e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, si dhe kryesuesit e komisioneve tjera.

 

Pas prezantimeve nga ana e Ministres Rizvanolli, ekspertit i cili udhëheq Grupin Punues të hartimit të Strategjisë, Dr. Sabos, si dhe Drejtori i Departamentit të Energjisë në Ministri të Ekonomisë, Luan Morina, të gjithë të pranishmit kanë diskutuar dhe kanë shprehur pyetjet e tyre në lidhje me këtë proces.

 

Diskutimi është shtrirë në tema të bashkëpunimit ndërinstitucional, dekarbonizimit, studimeve që po bëhen krahas hartimit të Strategjisë, sigurisë së furnizimit afatshkurtër dhe afatmesëm etj.

 

Në fund të takimit, Ministrja e ME-së, Artane Rizvanolli ka falënderuar të gjithë të pranishmit dhe u ka premtuar që do të vazhdojë t’i mbajë të informuar dhe të përditësuar me zhvillimet e sektorit të energjisë në mënyrë që Strategjia e cila do të përcaktojë rrugën energjetike të Kosovës për dekadat e ardhshme të jetë sa më gjithë-përfshirëse dhe e mirë-informuar.