Ministrja Rizvanolli takoi Ministrin e Ekonomisë dhe Punës së Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi

Prishtinë, 25.07.2024 Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka pritur në takim Ministrin e Ekonomisë dhe Punës së Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi.

Ministrja Rizvanolli shprehu kënaqësi dhe nder që vizita e parë zyrtare e Ministrit Durmishi ishte në Republikën e Kosovës, të cilit i uroi suksese për marrjen e detyrës së re, me besimin që bashkëpunimi i shkëlqyeshëm mes dy vendeve do të vazhdojë, e do të thellohet edhe më tej përgjatë mandatit të tij.

Gjatë takimit Rizvanolli dhe Durmishi diskutuan për vazhdimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve në realizimin e projekteve të rëndësishme, iniciativave dhe marrëveshjeve për integrimet rajonale.

Ministrja Rizvanolli po ashtu e informoi Ministrin Durmishi për zhvillimin në fushën e energjisë në Kosovë, në Teknologjinë e Informacionit dhe në atë të minierave.