Ministrja Rizvanolli takoi ambasadoren e Izraelit, Tamar Ziv
Prishtinë, 02,02,2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka pritur në takim ambasadoren e Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv, e cila ishte e shoqëruar nga përfaqësues të Kompanisë “TDI Renewables”, biznes i cili është i interesuar të investojë në Kosovë.
Ministrja Rizvanolli ka theksuar se është kënaqësi që brenda më pak se një muaji, të pres edhe një biznes nga Izraeli që po konsideron investimin në Kosovë.
Ajo po ashtu ka pohuar se Kompania “TDI Renewables” kishte shprehur interesim pasi kishte parë planet strategjike të Qeverisë në sektorin e energjisë dhe kishte gjetur në Kosovë një ambient miqësor për investime.
“Ishte kënaqësi të dëgjoj për disa projekte të energjisë solare fotovoltaike (PV) dhe të erës që kjo kompani po planifikon t’i zhvillojë në Kosovë, përshtypjet e tyre nga përvoja deri tani dhe mënyrat se si investimet në BRE mund të lehtësohen e nxiten edhe më tej”, ka theksuar Ministrja Rizvanolli.
Ajo e ka falënderuar ambasadoren Tamar Ziv dhe kolegët e saj, si dhe Ambasadën tonë në Jerusalem, në krye me ambasadoren Ines Demiri, që po bëjnë punë të shkëlqyer për të nxitur bashkëpunimin ekonomik mes vendeve tona.