Ministrja Rizvanolli takohet me Ministren gjermane për Evropë dhe Klimë Lührmann, bizneset gjermane të investojnë në Kosovë
Berlin, 03.11.2023 – Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli e shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, është pritur në takim nga Anna Lührmann, Ministre gjermane e shtetit për Evropë dhe Klimë.
Gjatë takimit, Ministrja Rizvanolli i ka prezantuar Ministres gjermane Lührmann “Pakon investive të Kosovës për energji 2023 – 2025”, e cila parasheh ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese e akumuluese prej 950 megavatë përmes skemave konkurruese. Tutje, ministret kanë diskutuar mbi hapat e ardhshëm për Partneritetin Klimatik mes Gjermanisë dhe Kosovës.
Ministrja Lührmann ka përgëzuar Ministren Rizvanolli për punën e bërë në Pakon Investive, e cila ofron mundësi tërheqëse investimi për kompanitë gjermane të sektorit të energjisë, duke filluar me ankandin e parë solar 100 megavatësh të Republikës së Kosovës.
Ministrja Rizvanolli ka njoftuar që këto projekte konkrete mbështeten edhe nga puna e bërë në legjislacion, siç është rasti me Ligjin e Parë për Burime të Ripërtërishme të Energjisë, i cili është miratuar në Qeveri, e përmirëson edhe më tej ambientin për investime në Kosovë.