Ministrja Rizvanolli së bashku me Kryeministrin Kurti, Ministrin Murati dhe Zv. Ministrin Arifaj vizitojnë Telekomin e Kosovës

 

Prishtinë, 10.01.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, si dhe Zëvendësministrin e Ekonomisë, Mentor Arifaj, kanë vizituar Telekomin e Kosovës, ku janë pritur nga kryeshefja ekzekutive, Burbuqe Hana, anëtarët e Bordit të Telekomit të Kosovës, si dhe drejtorët e departamenteve të ndërmarrjes publike.

 

Gjatë takimit me kryeshefen ekzekutive dhe anëtarët e bordit, Kryeministri Kurti dhe Ministrat Rizvanolli e Murati, kanë diskutuar për çështjet e ristrukturimit të Telekomit, investimet në Telekom, punën e deritanishme të menaxhmentit si dhe bordit, si dhe rritjen e performancës së ndërmarrjes.

 

Gjatë takimit Ministrja Rizvanolli ka theksuar që një ndër qëllimet kryesore të Ministrisë së Ekonomisë është përmirësimi i qeverisjes korporative dhe performancës së ndërmarrjeve publike, kjo do të jetë e lidhur me performancën e ndërmarrjes në mënyrë që të gjitha paratë e taksapaguesve të cilat shkojnë në ndërmarrje publike, të përkthehen në rezultate të konkurueshmërisë dhe performancës.

 

Tutje, u ritheksua zotimi i Qeverisë për t’i përkrahur ndërmarrjet publike, dhe në veçanti Telekomin e Kosovës, duke pasur pritje të larta nga bordet e reja dhe strukturat e reja menaxheriale, në veçanti për vënie të ligjshmërisë e ndaljes së keqpërdorimeve, që i kanë karakterizuar ndërmarrjet në të kaluarën, ngritjes së performancës dhe të konkurrueshmërisë, si dhe uljes së shpenzimeve operative.