Ministrja Rizvanolli priti në takim përfaqësuesit e Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane

Prishtinë. 29.04.2022 –  Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është takuar me përfaqësuesit e Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane të shoqëruar nga Zëvendësambasadori Gjerman, Jan-Axel Voss si dhe Drejtori i Komitetit,  Michael Harms, me ç’rast diskutuan rreth potencialit që ofrojnë tregjet e të dyja vendeve për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik.

Delegacioni i Komitetit njoftuan Ministren rreth fushëveprimit të Komitetit dhe rreth interesimit të tyre për të thelluar bashkëpunimin me Kosovën.

Gjatë takimit, ministrja Rizvanolli ka njoftuar komitetin rreth fushëveprimit të Ministrisë ku ndau me delegacionin mundësitë që i ofron Kosova për investitorë, veçanërisht në sektor të energjisë dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), sektor ky që është shembull i shkëlqyeshëm i motivimit dhe aftësive të të rinjve të Kosovës.

Në veçanti, ministrja njoftoi përfaqësuesit rreth infrastrukturës digjitale, dhe rreth pilot-projektit të 5G i cili është duke u zhvilluar nga Ministria e Ekonomisë.

Për me tepër është diskutuar rreth mbështetjes potenciale të Gjermanisë, veçanërisht në ofrimin e trajnimit profesional të të rinjve.

Ministrja ka theksuar se Kosova ka një rini të shkëlqyer dhe të motivuar, ku sektori i TIK-ut është një shembull i mirë se si ky sektor ka arritur të trajnoj rininë dhe ti përgatisë ata për tregun e punës.

Ministrja Rizvanolli në fund, ka falënderuar delegacionin dhe ka theksuar se Gjermania është dhe vazhdon të mbetet partner i rëndësishëm I Kosovës.