Ministrja Rizvanolli priti në takim diplomatin japonez, Keisuke Yamanaka

Prishtinë, 15.02.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me përfaqësues të kabinetit priti në takim të ngarkuarin e ri me punë pranë Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka, së bashku me këshilltarin e lartë për çështjet politike, çështjet e përgjithshme dhe sekretariatin, Arber Myftari.

Ministrja Rizvanolli e uroi Z. Yamanaka për detyrën e re si përfaqësues i shtetit japonez në Kosovë dhe e falënderoi atë për mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme të shtetit Japonez për Republikën e Kosovës, në veçanti për punën e bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, siç është bashkëpunimi në sektor të menaxhimit të mbeturinave.

Gjatë takimit, Ministrja Rizvanolli e ka njoftuar Z. Yamanaka për punët e Ministrisë së Ekonomisë si dhe sfidat me të cilat përballet Ministria.

Tutje gjatë takimit është diskutuar rreth sfidave të ngjashme me të cilat përballen dy shtetet, veçanërisht ato në sektor të energjisë, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në të ardhmen për t’i tejkaluar ato.