Ministrja Rizvanolli priti në takim Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier

Prishtinë, 09.02.2022 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka pritur në takim Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

E para e ME-së i uroi mirëseardhje Ambasadorit dhe e përgëzoi atë për detyrën e re të cilën ka marrë përsipër.

Ministrja Rizvanolli dhe Ambasadori Hovenier kanë biseduar rreth objektivave të Ministrisë së Ekonomisë me theks të veçantë në sektorin e energjisë, si dhe bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në këtë sektor.

Ambasadori Hovenier shprehi vullnetin e SHBA-ve për të vazhduar mbështetjen për Republikën e Kosovës në zhvillimin e këtij sektori.

Në fund, Ministrja Rizvanolli ka falënderuar Ambasadorin Hovenier për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë sektor që nga marrja e mandatit, e veçanërisht në hartimin e Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031, përfshirë këtu edhe kontributin nga ana e agjencive shtetërore dhe organizatave të SHBA-ve të cilat funksionojnë në Kosovë.