Ministrja Rizvanolli priti në takim ambasadorin e Japonisë, Kiminori Iwama

Prishtinë, 24.09.2025 – Ministrja e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, ka pritur sot në takim ambasadorin e Japonisë në Republikën e Kosovës, Kiminori Iwama.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në sektorin e energjisë, por edhe në fusha të tjera që mbulon Ministria e Ekonomisë siç janë teknologjia e informacionit dhe komunikimit (TIK), minierat, si dhe sektorë të tjerë me potencial zhvillimi.

Një pikë qendrore e bisedës ishte Forumi i Biznesit për Mjedisin, Energjinë dhe Infrastrukturën, i cili do të mbahet në nëntor në Kosovë. Ky forum pritet të sjellë kompani japoneze të interesuara për të investuar dhe për të krijuar bashkëpunime me bizneset kosovare, një hap i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes bizneseve të dy vendeve.

Ministrja Rizvanolli paraqiti progresin e dukshëm të treguesve ekonomikë që Kosova ka arritur vitet e fundit, duke theksuar se këto rezultate përbëjnë një mundësi tërheqëse për investitorët japonezë. Ambasadori Iwama përgëzoi për arritjet dhe shprehu gatishmërinë e Japonisë për të mbështetur më tej zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe.

Në përfundim, të dy palët falënderuan njëra-tjetrën për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe shprehën besimin se kjo marrëdhënie do të zgjerohet edhe më shumë në të ardhmen.