Ministrja Rizvanolli përfaqëson Kosovën për herë të parë në Konferencën Ndërkombëtare “Future Minerals Forum” në Riad
Riad, 15.01.2026 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka përfaqësuar për herë të parë Kosovën në Konferencën Ndërkombëtare “Future Minerals Forum”, e cila po mbahet në Riad, të Mbretërisë së Arabisë Saudite.
Me këtë rast, ministrja Rizvanolli theksoi se pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum përbën një mundësi të rëndësishme për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e mineraleve.
Ajo bëri të ditur se sektori i minierave do të jetë një nga prioritetet e Qeverisë së ardhshme, teksa njoftoi për një investim prej 50 milionë eurosh në hulumtime minerare, si dhe për një investim strategjik në ndërmarrjen “Trepça”, në bashkëpunim me një korporatë me përvojë nga një vend mik.
“Me investimin prej 50 milionë eurosh në hulumtime dhe me investimin strategjik në Trepçë, sektori i minierave do të ketë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Përfshirja e Kosovës për herë të parë në iniciativën e Mbretërisë së Arabisë Saudite ‘Future Minerals Forum’, me ftesë zyrtare, përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë sektor”, u shpreh ministrja Rizvanolli.
Në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësues nga mbi 100 shtete, si dhe më shumë se 70 organizata dhe biznese ndërkombëtare. Forumi synon krijimin e zinxhirëve të integruar të vlerës, ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe vendosjen e standardeve të përgjegjshme, të qëndrueshme dhe transparente të furnizimit në sektorin e mineraleve.


