Ministrja Rizvanolli merr pjesë në Tryezën e Diskutimit të Balkan Green Foundation

Prishtinë, 24 nëntor, 2021 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në tryezën e diskutimit për sektorin e ngrohjes të organizuar nga Balkan Green Foundation në kuadër të projektit ‘Bashkëpunimi shumëpalësh për aksionin e transformimit të mjedisit’, i mbështetur nga Heinrich Boll Foundation (HBS) dhe mbështetje institucionale nga Rockefeller Brothers Fund (RBF).

Krahas Ministres Rizvanolli, në diskutim kanë prezantuar edhe Drejtori Ekzekutiv i Balkan Green Foundation, Visar Azemi, si dhe Arven Syla i cili ka prezantuar punimin “Dekarbonizmi i sektorit të ngrohjes në Kosovë – Praktikat më të mira”.

Të pranishëm në diskutim kanë qenë edhe përfaqësues të organizatave e institucioneve vendëse e ndërkombëtare si dhe përfaqësues të mediave.

Gjatë diskutimit, Ministrja Rizvanolli ka folur për gjendjen aktuale të sektorit të ngrohjes, sfidat me të cilat përballet ky sektor, si dhe ka prezantuar punën që është duke u bërë në studimin e fizibilitetit për Sistemet e Ngrohjes Qendrore në Kosovë nga WBIF.

Ky studim i fizibilitetit pritet të përfundojë gjatë 18 muajve të ardhshëm dhe është duke analizuar ndërtimin e ngrohtoreve të reja në të gjitha Komunat e Kosovës.

Tutje, Ministrja ka ndarë punën në studimin e parafizibilitetit; “Energjia termike dhe panelet solare”  i cili është duke u realizuar nga EBRD dhe KFW për Ngrohtoren e Qytetit të Prishtinës “Termokos”.

Gjatë diskutimit, Ministrja Rizvanolli ka cekur, “çdo investim duhet të jetë ekonomikisht i qëndrueshëm, si në zgjidhje të nivelit politik, si në zgjidhje të nivelit personal. Duhet të jetë ekonomikisht e qëndrueshme për një familje të përdorë pelet e jo energji elektrike, ose pompe elektrike e jo thëngjill”.

Tutje, Ministrja Rizvanolli theksoi se rruga drejt kësaj qëndrueshmërie përfshinë implementimin e koncepteve te ko-gjenerimit, konservimin e energjisë, ruajtjen e energjisë përmes masave të efiçiencës në objekte banimi, dhe zëvendësimin e thëngjillit, naftës dhe produkteve të saj me burime alternative.

Duke i pasur këto, Ministrja ceki që Kosova do të jetë në gjendje: të rrisë sigurinë e furnizimit, efikasitetin e energjisë, të diversifikojë burimet e energjisë, të zvogëlojë ndotjen e ajrit dhe të përmirësojë cilësinë e jetës.